Reagim: Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme të publikoj kontratën e autostradës Morinë-Merdare
Prishtinë, 19 Mars 2018 – Lëvizja FOL është njoftuar sot se Ministria e Infrastrukturës ka bërë ankesë kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, përmes së cilës është aprovuar si e bazuar kërkesë-padia e Lëvizjes FOL për qasje në dosjen e tenderit për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare dhe kopjen e kontratës për ndërtimin e kësaj autostrade.
FOL konsideron se pavarësisht të drejtës ligjore në ankesë që e ka Ministria e Infrastrukturës kundrejt këtij Aktgjykimi, qëllimi kryesor i kësaj ankese është mbajtja e fshehtë e kësaj kontrate si deri më tani. Këtë gjë e vërteton edhe fakti se njëra nga pikat e ankesës ka të bëj me ruajtjen e konfidencialitetit të Kontratës, përkundër që ajo është një Kontratë publike.
Kjo edhe njëherë tregon se Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme për publikimin e kontratës dhe dosjes së tenderit për ndërtimin e kësaj autostrade, gjë që shkel rëndë të drejtën e qytetarëve për të ditur se si janë shpenzuar paratë e tyre.
FOL pret nga Gjykata e Apelit që të vërtetoj aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në një afat sa më të arsyeshëm dhe të obligoj Ministrinë e Infrastrukturës të lejoj qasjen në dokumente publike siç ishte edhe kërkesa e FOL tetë vite më parë.
FOL konsideron se tendenca për zvarritjen e këtij procesi nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, përkatësisht Qeverisë së Kosovës është goditje direkte ndaj transparencës dhe llogaridhënies.