Raport Monitorues për Zbatimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Dragashit (2024-2026)
Lëvizja FOL, në kuadër të projektit “Monitorimi dhe llogaridhënia me ndjeshmëri gjinore”, me
mbështetjen e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), ka realizuar monitorimin e
zbatimit të Planeve të Veprimit për Barazi Gjinore në komunat Hani i Elezit, Dragash dhe Prizren.
Ky raport është hartuar me qëllim monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Planit Lokal të
Veprimit për Barazinë Gjinore (PLVBGJ) në Komunën e Dragashit. Planet lokale të veprimit për
barazi gjinore përbëjnë një mjet strategjik për ta integruar barazinë gjinore në funksionimin e
përditshëm të institucioneve. Ato përfshijnë objektiva të qarta, masa konkrete, ndarje të qarta
përgjegjësish, afate kohore dhe burime të nevojshme, si njerëzore ashtu edhe financiare, për
zbatimin e tyre. Përveç kësaj, këto plane parashikojnë mekanizma për ndjekjen e përparimit
dhe vlerësimin e ndikimit, duke siguruar që drejtuesit institucionalë të mbajnë përgjegjësi për
përparimin drejt barazisë gjinore. Përfundimisht, këto plane synojnë ndryshimin institucional
duke përfshirë perspektivën gjinore në rregullat, procedurat dhe praktikat e zakonshme të
institucioneve, duke e bërë barazinë gjinore pjesë përbërëse të veprimit të përditshëm.
Plani Lokal i Veprimit për Barazi Gjinore (PLVBGj) në Komunën e Dragashit është miratuar në
dhjetor të vitit 2023 nga Kuvendi Komunal, pas një procesi gjithëpërfshirës dhe konsultativ që
përfshiu institucionet lokale, grupet e grave asambleiste, organizatat e shoqërisë civile dhe
komunitetin e gjerë. Ky plan trevjeçar (2024–2026) është dokument strategjik që përcakton
prioritetet dhe masat konkrete për përparimin e barazisë gjinore në nivel komunal dhe
integrimin e saj në politikat publike, procedurat administrative, dhe planifikimin financiar të
komunës.
PLVBGj është përgatitur në përputhje me kornizat ligjore dhe strategjike të Kosovës, si dhe
me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, përfshirë Ligjin
për Barazi Gjinore, Programin për Barazi Gjinore 2020–2024, Agjendën 2030 për Zhvillim të
Qëndrueshëm (SDG 5), Konventën për Eliminimin e të gjitha formave të Diskriminimit ndaj
Grave (CEDAW), dhe Strategjinë e Barazisë Gjinore 2020-2025 e Bashkimit Evropian dhe Plani i
Veprimit për Barazinë Gjinore (GAP III) 2021-2025.
Raporti i plotë në gjuhën shqipe