Qytetarët duhet të konsultohen për ndryshimet kushtetuese

Prishtinë, 9 prill 2011: Zhvillimet e fundit në Kosovë kanë testuar përkushtimin e liderëve politikë të vendit karshi karakterit demokratik të shtetit si dhe zotimin tyre për të mundësuar dhe lejuar funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Lëvizja FOL e konsideron lajm të mirë zgjedhjen e një kandidati konsensual për postin e Presidentit të Republikës ashtu siç e kërkon Kushtetuta, megjithëse ky konsensus nuk ishte i plot.

FOL e konsideron pozitiv hapin për ndryshime kushtetuese mirëpo agjenda e ndryshimeve kushtetuese nuk mund të artikulohet në asnjë mënyrë nga një grup i caktuar individësh, por kjo agjendë duhet të jetë në përputhje me interesin dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës siç e kërkon karakteri demokratik i shtetit tonë.

Qytetarët e Kosovës duhet të jenë në qendër të vëmendjes në procesin e ndryshimeve kushtetuese. Nuk mund dhe nuk duhet të përsëritet procesi i vitit 2008 i nxjerrjes së Kushtetutës, i cili ka përjashtuar pjesëmarrjen cilësore të qytetarëve në proces
Presidenti i Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të krijoj një grup i cili do të merr përsipër organizimin e konsultimeve të gjera me qytetar për nevojat në ndryshimin e Kushtetutës së vendit dhe ky grup pastaj të hartoj rekomandimet konkrete për ndryshime kushtetuese. Ky proces duhet të ketë pronësinë e plotë nga shtetasit e Republikës së Kosovës sepse sfidat që kemi sot me kushtetutën janë pikërisht si rezultat i mungesës së pronësisë kosovare ndaj Kushtetutës së vendit.

Gjithashtu, zhvillimet e fundit kanë tërhequr vëmendjen nga lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut vë në pah shtrirjen e gjerë të korrupsionet në qeveri, gjyqësor e institucione të tjera publike. Retorika kundër korrupsionit duhet të përkthehet në veprime konkrete dhe në këtë aspekt prokuroria speciale e Kosovës, gjykatat dhe organet e tjera po dështojnë ti ofrojnë Kosovë rezultatin e nevojshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.