“Qeveria policore dhunoi qytetarët dhe institucionet e shtetit të Kosovës”

Prishtinë, 16 shkurt 2011. “Qeveria policore dhunoi qytetarët dhe institucionet e shtetit të Kosovës”, kjo ishte motoja e rreth 30 organizatave joqeveritare, të cilat protestuan sot në një protestë të qetë pranë Qeverisë së Kosovës. Lorik Bajrami, nga organizata “Çohu”, njëra nga OJQ-të organizatore të kësaj proteste, ka thënë para të tubuarve se “kjo protestë mbahet për të dënuar ashpër dhunën brutale të urdhëruar nga Qeveria e Kosovës dhe ushtruar nga policia ndaj protestuesve, të shtunën e kaluar”.
Pjesëmarrës në këtë protestë ishin qindra qytetarë, të cilët dolën për të shprehur pakënaqësinë ndaj dhunës së ushtruar në protestën e 14 janarit.