Puna një vjeçare e Komunës së Gjakovës – Transparenca dhe Llogaridhënia
Gjakovë, 23 shkurt 2013 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot në Gjakovë debatin me temën “Puna një vjeçare e Komunës së Gjakovës – Transparenca dhe Llogaridhënia”. Panelist në këtë debat ishte Pal Lekaj Kryetar i Komunës së Gjakovës. Po ashtu, të ftuar të tjerë ishin edhe përfaqësues të subjekteve politike në këtë komunë, këshilltar komunal, kryetar të bashkësive lokale, media dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL tha se ky debat është një ndër debatet që FOL po realizon si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, pra në Gjakovë dhe Podujevë. “Qëllimi i këtij debati është diskutimi mbi planifikimet vjetore të Komunës së Gjakovës gjatë vitit 2012, duke analizuar vendimmarrjen dhe transparencën që do të duhej ta karakterizonte cdo qeverisje demokratike”.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës Pal Lekaj gjatë prezantimit të punës një vjeçare të komunës tha se Gjakova njihet si komuna e cila është më transparentja në gjithë Kosovën. Zyra e Kryetarit sipas tij, në vitin 2012 ka lëshuar 150 vendime në dobi të qytetarëve e ku nga këto kemi vetëm 3 ankesa dhe ato të mos përgjigjes se qytetareve në afatin kohor. “Gjatë vitit 2012 sa i përket prokurimit publik, komuna e Gjakovës ka pasur 87 tender, ku nga këta tender kemi vetëm 2 ankesa dhe atë njëra ka shkuar në ri-tenderim dhe një në aprovim”, tha Lekaj. Lekaj tha se komuna të cilën ai udhëheq prin edhe sa i përket participimit të qytetarëve në projekte të ndryshme, ku vlera e tyre arrin në 600 mijë euro.
Sfidë për kryetarin Lekaj mbetet rregullimi i Çarshisë së Madhe. “Përgjegjësia e Çarshisë së Madhe së një sfidë për ne. Dje është marrë vendimi nga Ministria e Kulturës dhe se brenda tre muajve do të rregullohet kjo çështje”, tha Lekaj.
Sipas tij, komuna e Gjakovës është e vetmja komunë e cila nuk ka asnjë aferë korrupitve si nga stafi politik e po ashtu edhe nga niveli i administratës.
Rekomandimet e raportit të Auditorit, Çarshia e Madhe, zhvillmi ekonomik i Gjakovës, gjendja e komuniteteve në Gjakovë, transparencën e parasë publike ishin vetëm disa nga shqetësimet e ngritura nga të pranishmit, të cilët iu drejtuan kryetarit Pal Lekaj.
Ndërkaq, Shpëtim Rudi nga AKR tha se ‘nga 10 rekomandimet që Auditori i Përgjithshëm që i ka dhënë në vitit 2010 për Komunën e Gjakovës, vetëm 1 prej tyre është respektuar”. Z. Rudi, vazhdoj me tej duke thënë që “gjatë vitit 2012, ka pasur shkelje të ndryshme në prokurimin publik, duke dhënë tender njëburimor, nënshkrimi i kontratave pa mjete të zotuara, pastaj problemet me lejet e ndërtimit dhe shumë shkelje të tjera që e karakterizojnë qeverisjen lokale në Gjakovë. Debati vazhdoj në lidhje më Çarshinë e Vjetër, pastaj me problemet e vazhdueshme në infrastrukturë dhe projektet e premtuara dhe të parealizuar në vitin 2012.