Publikimi i raportit “Prokurimi Jo-publik”
Prishtinë, 18 maj 2011 – Lëvizja FOL, sot ka publikuar raportin “Prokurimi Jo-publik”, i cili përfshinë një përmbledhje të aktiviteteve të prokurimit publik për periudhën janar-mars 2011.
Koordinator i projektit, Fidan Kalaja, deklaroi se ky aktivitet është një përmbledhje dhe analizë e të dhënave të Organi Shqyrtues i prokurimit(OSHP), Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik(KRPP), mediave dhe të dhënave nga monitorimi i drejtpërdrejtë i procedurave të monitorimit nga ana e Lëvizjes FOL. Ai theksoi se Lëvizja FOL gjatë kësaj periudhe ka arritur që të nënshkruajë memorandum për monitorimin e procedurave të prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë dhe gjithashtu sot është njoftuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Administratës Publike për nënshkrimin e një memorandumi të tillë. Ai kritikoi Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Arsimit që nuk janë përgjigjur pozitivisht në kërkesën tonë për monitorimin e procedurave të prokurimit në këto ministri.
Ndërkaq, analisti i politikave, Armend Mazreku, prezantoi të gjeturat e këtij raporti, ku tha se institucionet, ndërmarrjet publike dhe agjencionet e tjera publike kanë vazhduar avazin e vjetër të parregullsive ligjore gjatë procesit të prokurimit publik. Përgjatë periudhës janar-mars janë bërë gjithsej 21 shkelje ligjore, tri prej të cilave kanë rezultuar me gjobitje në vlerën prej 70.000.00″: 20.000.00″ për PTK-në, 20.000.00″ për Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit dhe 30.000.00″ tjera për Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit;
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka bërë 4 shkelje ligjore, komunat po ashtu kanë bërë 4 shkelje, ndërmarrjet Publike (KEK dhe PTK) kanë bërë gjithsej 4 shkelje ligjore, Gjykata Kushtetuese ka bërë shkelje ligjore gjatë aktivitetit të prokurimit “shërbimet e përkthimit me shkrim dhe me gojë dhe transkriptin-Pjesa 1”. Për shkak të parregullsive të tilla ky aktivitet i prokurimit është kthyer nga 0SHP-ja në ri-tenderim; Kuvendi i Kosovës ka bërë shkelje të nenit 32.4 të LPP-së me rastin e anulimit të aktivitetit të prokurimit “Renovimi i sallës 301 në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës; Zyra e Auditorit të Përgjithshëm gjatë muajit shkurt ka bërë shkelje të procedurave të prokurimit në tenderin “Shërbimet e telefonisë mobile për stafin e ZAP-it”; ART-ja nuk e ka respektuar vendimin e OSHP-së për ta ri-vlerësuar tenderin “Tender/Propozim për Qendrën Nacionale të Monitorimit të Radio Spektrit” dhe më pastaj i ka shqiptuar një gjobë prej 30.000.00 Euro; Doganat e Kosovës ka bërë shkelje të nenin 59 dhe 60 të LPP-së në tenderin “Furnizim me material shpenzues higjenik”; Përveç këtyre shkeljeve, janë edhe tre institucione tjera të cilat kanë bërë shkelje: Agjencioni Kosovar i Pronave (ri-vlerësim), Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ri-tenderim) dhe Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës (ri-tenderim).
Ky aktivitet u mundësua me përkrahje të OSI/CRD.