Prokuroria Themelore e Mitrovicës me preformancën më të ulët në trajtimin e lëndëve të korrupsionit për vitin 2020

Prishtinë 08 prill 2021 – Lëvizja FOL ka mbajtur konferencë për media me ç’rast ka publikuar raportin”Performanca e Prokurorisë në Luftën Kundër Korrupsionit 2020”.

Albana Hasani nga FOL tha se nga 646 lëndë të korrupsionit sa ishin në punë në të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës për vitin 2020, prokuroritë kanë arritur ti trajtojnë 329 prej tyre apo 51 %. Ndërkaq 317 lëndë kanë ngelur të pa trajtuara dhe janë bartur për vitin 2021. Sipas saj “ende vazhdon të mbetet shqetësuese bartja e numrit të madh të lëndëve nga viti në vit, ku vetëm në vitin 2020 ishin bartur gjithsej 267 lëndë të korrupsionit nga viti paraprak”, tha ajo.

Norma e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në të gjitha Prokuroritë e Republikës së Kosovës për vitin 2020 është arritur 87 %. Ky rezultat ka ardhur si rrjedhojë e faktit se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe ishte më i ulët se numri i lëndëve të reja – të krijuara gjatë vitit 2020.

Sipas metodologjisë, “354 ditë i nevojiten Prokurorit të Shtetit për ti zgjidhur të gjitha lëndët e korrupsionit që kanë mbetur të pazgjidhura në vitin 2020” tha Hasani.

Me fluksin më të madh të lëndëve të korrupsionit gjatë kësaj periudhe është përballur Prokuroria Themelore e Prishtinës, e cila në punë ka pasur gjithsej 221 lëndë, 115 prej të cilave i ka zgjidhur. Ndërsa, me fluksin më të ulët të lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2020 është përballur Prokuroria Themelore e Gjakovës, e cila në punë ka pasur gjithsej 27 lëndë të korrupsionit, 15 prej të cilave i ka zgjidhur.

Sa i përket performancës, “Prokuroria që ka arritur rezultatet më të mira në trajtimin e lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2020, është Prokuroria Themelore e Gjilanit e cila gjatë kësaj periudhe ka arritur normën më të lartë të qarkullimit të lëndëve, dhe indeksin më të ulët të lëndëve të grumbulluara”, tha ajo. Nga 41 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë, kjo prokurori ka arritur të zgjidh 33 prej tyre, ndërsa vetëm 8 i ka bartur për vitin 2021.

Gjithmonë duke ju referuar statistikave të Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokuroria me rezultatet më të ulëta në trajtimin e lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2020 është Prokuroria Themelore e Mitrovicës, e cila nga 100 lëndë sa ka pasur në punë gjatë viti 2020, ka arritur të trajtoj vetëm 17. Pra kjo prokurori gjatë kësaj periudhe ka arritur normën më të ulët të qarkullimit të lëndëve, si dhe indeksin më të lartë të lëndëve të grumbulluara.

Duke u bazuar në gjetjet e lartëpërmendura, FOL jep këto rekomandime:

  • Të rritet numri i prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Rënda, që merren me rastet e korrupsionit;
  • Lëndët e korrupsionit, e veçanërisht ato të profilit të lartë të trajtohen me prioritet absolut;
  • Të respektohen në përpikmëri obligimet në trajtimin e rasteve të korrupsionit sipas afateve dhe obligimeve të përcaktuara në ligj;
  • Të rritet vazhdimisht transparenca e Prokurorit të Shtetit dhe e Këshillit Prokurorial të Kosovës në lidhje me ofrimin e qasjes në dokumente publike në pajtim me obligimet që dalin nga ligji;
  • Të publikohen në vazhdimësi raportet statistikore në ueb-faqen zyrtare të Sistemit Prokurorial në lidhje me numrin e lëndëve të zgjidhura dhe në trajtimin e rasteve të korrupsionit.