Projekt-ligji për Amnisti të hiqet nga rendi i ditës
Prishtinë, 3 Korrik – Lëvizja FOL kërkon nga Kryesia dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta heqin nga rendi i ditës miratimin e Projekt-ligjit për Amnisti. FOL vlerëson që ky projekti-ligj, në formën si është paraqitur dhe në përmbajtjen që ngërthen, është në kundërshtim të hapur me premisat themelore liberale të drejtësisë dhe me parimet e aplikuara nga ana e shoqërive të hapura dhe shteteve demokratike. Si i tillë, projekt-ligji cenon bazat e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës sonë. I ardhur pa ndonjë debat paraprak, dhe si pasojë e negociatave në mes të dy kryeministrave, atij të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, projekt-ligji në fjalë cenon esencialisht liritë, të drejtat dhe parimet themelore të njeriut , e të cilat liri janë ta garantuara më Kushtetutën e Republikës.
Si rast unik në botë, ky projekt-ligj do të shkaktonte lëkundje të një sistemi, e i cili sistem mbetet mjaftë i dobët, i pa-funksionalizuar dhe në pjesë të territorit krejtësisht i papranishëm.
Prandaj, FOL ju ka dërguar të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës kërkesën që ky projekt-ligj të hiqet komplet nga rendi i ditës për mbledhjen e radhës, dhe kësisoj të mundësohet hapja e një debati të gjerë shoqëror për çështjet që ndërlidhen me këtë projektligj dhe pasojat që do të sillte ai për vetë themelet e shtetit të Kosovës.
Në të kundërtën, nëse projektligji miratohet nesër në Kuvendin e Kosovës vetëm me një diskutim sa për sy e faqe, do të ishte një goditje e madhe për vetë frymën që përfaqëson Republika e Kosovës, si dhe do të përbënte një precedent të rrezikshëm dhe tejet të dëmshëm për procesin e shtet-ndërtimit dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës.