Përurimi i pjesshëm i projektit jo-transparent

Prishtinë, 12 nëntor – Sot, qytetarët e Kosovës do të vërshohen me lajmet e përurimit të segmentit të parë të autostradës Vermicë-Merdare. Sigurisht, protagonist kryesor i kësaj ceremonie do të jetë kryeministri Thaçi, i cili do të mbajë fjalime të gjata mbi projektin madhor që kjo Qeveri ka investuar dhe se si ky projekt ka punësuar mijëra të papunë dhe i ka dhënë hov zhvillimit ekonomik të vendit.

Kjo, natyrisht do të jetë në vazhdën e deklarimeve të njëpasnjëshme të retorikës së qeverisë Thaçi 1, e që ka vazhduar edhe me Thaçi 2, se si ky projekt është kombëtar, se kritikët e këtij projekti janë kundër rrugës së kombit, të cilët nuk e donin zhvillimin e Kosovës, të cilët nuk dëshirojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe akuzash të tilla, duke tentuar që ta anashkalojë tërësisht çështjen e transparencës së këtij projekti.

Mirëpo, që nga fillimi, ky projekt ka qenë tërësisht i mbyllur për taksapaguesit e vendit, shoqërinë civile dhe mediat. Megjithëse, investimi në këtë projekt do të vazhdojë të marrë më shumë se gjysmën e investimeve kapitale edhe për dy vitet e ardhshme, asnjëherë nuk është bërë publike kontrata e ndërtimit të saj, duke përfshirë burimet e financimit, koston përfundimtare, kohëzgjatjen dhe procesin e mbikëqyrjes së punimeve, përcaktimin e trasesë si dhe procesin e çështjes së shpronësimit.

Lëvizja FOL përkrah investimet kapitale në infrastrukturë, mirëpo është kundër investimeve që mbahen të mbyllura, jo-transparente dhe jo-llogaridhënëse për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.