Performanca: “Farat e Rrejshme”
Prishtinë, 9 dhjetor 2024 – Lëvizja FOL me përkrahjen e Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit përmes performancës “Farat e Rrejshme”, me të vetmin qëllim të përbashkët: ndërgjegjësimin e shoqërisë në luftën kundër korrupsionit dhe nevojën e pashmangshme për reflektim kolektiv mbi pasojat e dëmshme të këtij fenomeni.
Mexhide Demolli -Nimani drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se në këtë ditë të shënuar, të gjithë ne duhet të reflektojmë mbi fenomenin që dëmton themelet e shtetit dhe substancat e shëndosha të shoqërisë sonë, me ndikim kaq të madh në cilësinë e jetës tonë sociale dhe progresit institucional.
“Përveç se një akt i paligjshëm, ky fenomen përbën një proces të vazhdueshëm që minon besimin e qytetarëve tek institucionet publike, kërcënon demokracinë dhe sundimin e ligjit, pashmangshëm dobëson integritetin e institucioneve shtetërore, rritë pabarazinë sociale, si dhe pengon zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Demolli-Nimani.
Sipas saj, në Kosovë, që nga pavarësia e saj, lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe vazhdon të mbetet një sfidë qenësore shtetërore dhe shoqërore. Qeveri të ndryshme kanë projektuar dhe miratuar ligje e strategji të ndryshme, si dhe kanë dhënë premtime të shumëllojshme. Por, çdo qeveri që ka udhëhequr vendin tonë, ka dështuar t’i përmbushë edhe premtimet që vetë i kishin dhënë.
“Edhe Qeveria aktuale, e cila erdhi me moton politike si “Drejtësi dhe Punë”, dhe që qeverisjen do ta bënin me duar të pastra dhe duke e luftuar korrupsionin, ka dështuar të përmbush premtimet e dhëna. E përveç kësaj, një sërë skandalesh dhe aferash korruptive janë rënduar mbi ministra, funksionarë e zyrtarë të lartë të kësaj qeverie.
Emërimet nepotike, shpenzimet e pajustifikuara të fondeve publike, e tenderët e dyshimtë pa transparence, janë bërë elemente të mosfunksionit institucional, ndërsa dështimi në finalizimin e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Luftimin e Korrupsionit, tregon qartë vullnetin e kësaj qeverie për të luftuar korrupsionin e cila për dy vite nuk arriti ta finalizoj një strategji të tillë”.
Demolli – Nimani tha se akuzat për keqpërdorime në rezervat shtetërore, për mosdeklarim të pasurisë, për faljen e miliona euro borxheve për ambalazhuesit e ujit të tokës së Kosovës, për ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë, për kontrollimin e mediave, presionet ndaj gazetarëve dhe linçimet publike, për kontratat njëburimore, “aksham pazaret” kuvendore – ishin vetëm disa nga praktikat të cilat e kanë karakterizuar këtë qeveri. Këto praktika natyrisht se kanë nxitur shqetësime të mëdha te qytetarët dhe kanë dëmtuar besimin e tyre në institucionet publike .
Raportet e organizatave më kredibile, kombëtare e ndërkombëtare, kanë nënvizuar se ndërhyrjet e politikës, administrata e kapur dhe prania e lartë e korrupsionit janë pengesa kryesore në zbatimin e ligjit. Dobësitë e sistemit gjyqësor dhe mungesa e llogaridhënies kanë krijuar një ambient ku korrupsioni jo vetëm që tolerohet, por edhe kultivohet.
Kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme te përcjella me reforma rrënjësore dhe efektive për të ndërtuar institucione qe ne qendër kane prosperitetin dhe fitojnë besueshmërinë e qytetareve, si dhe për të parandaluar e luftuar këtë fenomen të rrezikshëm në të gjitha hallkat e rëndësishme shtetërore e shoqërore.
Sipas saj togfjalëshi “Lufta kundër korrupsionit” nuk duhet të shfrytëzohet vetëm si një parullë politike në fushata zgjedhore e konferenca mediatike, por duhet të përcjellët me strategji e politika efektive dhe rezultate konkrete.
Korrupsioni nuk është fenomen i izoluar e abstrakt. Korrupsioni në një mënyrë apo tjetër, prek aspektet më të rëndësishme të jetës së qytetarëve, si: arsimin, shëndetësinë, drejtësinë dhe ekonominë, duke i dhënë prioritet interesave personale mbi ato publike. Përballë këtij realiteti, duhet një angazhim i përbashkët nga institucionet publike, shoqërisë civile dhe qytetarëve që t`a luftojmë këtë fenomen.
Për t`a shënuar këtë ditë, ne kemi zgjedhur të prezantojmë një performancë artistike që simbolizon ndikimin e korrupsionit në shoqërinë tonë. Vepra “Farat e Rrejshme“ pasqyron një realitet, ku mungesa e ndershmërisë dhe transparencës krijon një errësirë të thellë që pengon zhvillimin e vendit.
Simbolika e veprës është e qartë: farat që mbillen pa ndershmëri nuk mund të japin fryte të shëndetshme. Pra korrupsionin nuk duhet t`a shohim thjesht si një njollë në letrën e bardhë të shoqërisë sonë, por si një farë e rrejshme që mbin, lulëzon dhe helmon tokën tonë të përditshme.
Mirëpo në qendër të saj, ka një dritë që pulson, që është e vogël por e dukshme – si guximi i një qytetari që vendos të flasë, të sinjalizoj, që përbën hapin e parë drejt ndryshimit.
Ky mesazh na kujton se ndryshimi fillon nga secili prej nesh. Angazhimi i gjithsecilit, qoftë me denoncimin e padrejtësive, qoftë me mbështetjen e reformave, është jetike për ndërtimin e një të ardhmeje pa korrupsion.
Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm detyrë e institucioneve të drejtësisë, por një përgjegjësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve.
Lufta ndaj korrupsionit fillon me vepra të vogla: me aktin e thjeshtë të refuzimit të padrejtësisë.
Kështu që sot, le të marrim një angazhim të përbashkët: të jemi ndriçuesit e rrugës drejt një shoqërie më të drejtë, më transparente dhe më me integritet.
Përmbajta e Doracakut:
Doracaku “Farat e Rrejshme”, i marum n’bashk- punim me artistin Driton Selmani, asht nji udhëzues vizual që ka për qëllim me i ndihmu njerzt me i pa e kuptu praktikat korruptive që shpesh fshihen mrapa sipërfaqes. Ky manifest me 11 pika âsht i plekun për me tregu se si edhe nji veprim a send i vogël mundet me kenë pjesë e marrveshjeve t’fshehuna, që bâhen mrapa dyrve t’mbylluna, ose pjesë e “farave” që jan’ subven- cionu me hile.
Me ilustrime që tregojnë situata t’ditshme, ky doracak jep nji rrugë t’lehtë vizuale me kuptu si dukuritë që doken t’pafajshme janë lidhë me ndikime t’padukshme, e që i ndihmon ujdiť e errta. Gjuha ironike përdoret për me zgju vetdi- jen e njerzve, me i ba me kuptu ndikimet që shpesh kalojnë pa u vrejtë, e me u fuqizu për me i pa e shmangë kto marrveshje t’mshefta që ndikojnë n’jetën e përditshme.
Farat e Rrejshme âsht nji mjet për me pru dritë n’nji shoqni ma t’drejtë e ma t’pastërt, tu ofru kuptime t’lehta e t’qarta për me luftu padrejtsitë e për me promovu ndershmninë e përgjegjësinë
Përmbajtjen e plotë të doracakut mund ta gjeni këtu
Java Kundër Korrupsionit 2024 organizohet falë mbështetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL)