Parlamenti votoi për Komisionere për Informim dhe Privatësi kandidatën e rekomanduar para dy viteve nga britanikët

Prishtinë, 17 qershor 2021 – Në seancën parlamentare të mbajtur më 17 qershor 2021 është votuar Krenare Sogojeva Dërmaku për Komisionere për Informim dhe Privatësi. Znj. Sogojeva Dërmaku është rekomanduar dy herë nga ana e ekspertëve të angazhuar nga ambasada britanike per rekrutim në pozitat e larta mirëpo nuk kishte marrë votat e mjaftueshme.

Ne shprehim zhgënjimin tonë të thellë me bojkotimin e këtij procesi nga ana e opozitës. Deputetët  kanë obligim kushtetues që të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë. Ata kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve të tyre.

Ne e ftojmë znj. Sogojeva Dërmaku që të fillojë reformimin aq të nevojshëm të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, të përzgjedhë stafin e agjencisë  -sidomos inspektorët- në bazë të meritave, të kryej punën me përgjegjësi dhe profesionalizëm në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me qasjen në dokumente publike dhe të mbrojë të dhënat personale të qytetarëve të Kosovës. Ftojmë znj. Sogojeva që rekrutimin e safit ta bëjë në mënyrë transparente duke lejuar shoqërinë civile që të monitorojë nga afër këto procese. Ne presim që vendimet e agjencisë të jenë të shkruara në mënyrë profesionale, të bazuara në standardet europiane, të arsyetuara mirë dhe lehtësisht të qasshme në uebsite.

Lidhur me dyshimet e ngritura për dokumentet e dorëzuara nga z.Bujari, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar znj.Mimoza Kusari Lila bëri thirrje që të përfshihet prokuroria. Në mënyrë që të largohen dyshimet e paraqitura gjatë këtij procesi, ne i sugjerojmë panelit intervistues që të ndjekë këshillen e znj.Kusari Lila duke iu drejtuar prokurorisë.

Ne do të vazhdojmë të monitorojmë për së afërmi punën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

FOL

Flutura Kusari

GLPS

KDI

KCSF

Çohu

D4D

GAP