OSHC: I bëjmë thirrje deputetëve që të përsërisin konkursin duke siguruar që transparenca dhe profesionalizmi të jenë vlerat e procesit të ri

Prishtinë, 7 qershor 2021 – Ne organizatat dhe aktivistët e poshtëshënuar shprehim shqetësimin tonë të thellë me parregullsitë dhe procedurat e ndjekura në procesin e katërt të përzgjedhjes së Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi.

Paneli intervistues i Komisionit për Çështje të Mbrojtjes dhe Sigurisë i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga deputetët Fatmir Humolli, Shqipe Mehmeti Selimi, Mefail Bajqinovci dhe Enver Dugolli dhe Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Erxhan Galushi dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Slavko Simić nga Lista Serbe, kanë intervistuar kandidatët më 7 qershor 2021.

Për këtë pozitë kanë kandiduar Edon Myftari, Enver Bujari, Krenar Këpuska, Krenare Sogojeva Dermaku, Sadik Kryeziu dhe Xhemshit Brajshori. Prej tyre u intervistuan tre, përkatësisht Edon Myftari, Enver Bujari dhe Krenare Sogojeva Dermaku. Disa minuta para intervistës është tërhequr Sadik Kryeziu.

Deputetët prezentë vlerësuan me më së shumti pikë kandidatin Enver Bujari, përkatësisht me 69 pikë, kandidaten Krenare Sogojeva Dermaku me 63 pikë dhe kandidatin Edon Myftari me 61.5 pikë. Këta tre emra do të dërgohen në Kuvend për votim, pasi tw aprovohen nga Komisioni për Çështje të Mbrojtjes dhe Sigurisë i Kuvendit të Kosovës. Proceduralisht për tu bërë Komisioner/e nevojiten 61 vota të deputeteve.

Nga monitorimi direkt i intervistave, ne vlerësojmë se kandidati i ranguar më së larti nuk ka performuar më mirë se dy kandidatët tjerë. Z. Bujari ka kandiduar edhe në të gjitha proceset e kaluara, mirëpo ekspertet britanikë të cilët e kishin ndihmuar procesin e rekrutimit në vitin 2019 dhe në 2020 nuk e kishin vlerësuar me poena kaluese dhe nuk e kishin rekomanduar atë për pozitën e Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi.[1]

Ashtu siç kemi bërë rëndom në të gjitha konkurset paraprake, ne kemi analizuar biografitë e të gjithë kandidatëve dhe kemi vërejtur që biografia e dorëzuar në këtë proces nga z. Bujari nuk është e njëjtë me biografitë që ai ka dorëzuar në proceset e mëparshme.

Sipas biografisë së dorëzuar në vitin 2019 në Kuvendin e Kosovës, z. Bujari kishte deklaruar që ka punuar si shef i njësisë për hetimin e narkotikëve në periudhën 2006-2019, në biografinë e dorëzuar në vitin 2020 ai kishte deklaruar se kishte punuar në atë pozitë në periudhën 2009-2020 ndërsa në biografinë e dorëzuar në vitin 2021 ai ka deklaruar se kishte punuar në atë pozitë në periudhën 2009-2019. Po ashtu, në biografitë e dorëzuara ka shpërputhje në datat e studimeve. Sipas biografisë së dorëzuar herën e parë dhe të dytë, ai e ka kryer fakultetin për shkenca politike dhe administratë publike në kolegjin “Fama” për dy vite (2010-2012) ndërsa sipas biografisë së dorëzuar herën e tretë ai ka kryer fakultetin për tri vite në një periudhë tjetër kohore (2007-2010). Poashtu, ai ka ndryshuar tri herë datat në të cilat ka bërë studimet në fushën e inxhinierisë, përfshirë emrin e institucionit arsimor. Ne shprehim shqetësimin tonë që paneli rekrutues nuk i ka verifikuar këto informacione.

Tutje, gjatë intervistimit paneli nuk ka përfillur metodologjinë e krijuar nga ekspertët britanikë. Pyetjet janë përpiluar pa praninë e monitorueseve nga shoqëria civile, për dallim nga proceset e kaluara kur ne jemi ftuar të jemi pjesë e tërë procesit. Po ashtu, herët e kaluara deputetët kanë bërë vlerësimin në mënyre transparente, duke bërë të ditur pikët e vlerësimit pas secilit intervistim dhe duke ofruar arsyetim për vlerësimin e bërë. Kësaj herë, deputetët kanë vlerësuar kandidatët në mënyrë anonime duke mos dhënë arsyetim për pikët e dhëna. Në fund janë bërë të ditura vetëm piket totale të vlerësimit për secilin kandidat.

 

Ne gjithashtu ritheksojmë shqetësimin tonë në lidhje me përbërjen e panelit intervistues. Me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje, paneli është përbërë nga të gjithë anëtarët e Komisionit e jo vetëm nga një përfaqësues i partive politike, siç është praktika parlamentare. Kjo qasje ka krijuar një precedent negativ dhe ka ndikuar drejtpërdrejt mbi humbjen e legjitimitetit të tërë procesit të përzgjedhjes së Komisionerit/es. Partitë në pushtet kanë dështuar që të arrijnë konsensus për të mbajtur të përfshirë partitë opozitare. Njëkohësisht, ne konsiderojmë që opozita ka obligim që të përfaqësojë interesat e votuesve të vetë duke marrë pjesë në Kuvend dhe duke japë kontributin e saj.

Bazuar në atë që u tha më lartë, ne konsiderojmë që ky proces ka qenë jo transparent në zhvillimin e aktiviteteve të tij dhe jo profesional në intervistim, për çka, nuk duhet të vazhdojë tutje. Ne i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit që të përsërisin konkursin duke siguruar që transparenca dhe profesionalizmi të jenë vlerat e procesit të ri.

 

FOL

Flutura Kusari

GLPS

KDI

KCSF

Çohu

D4D

GAP

[1] https://www.kosovoselection.org/outcomes-19