OJQ-të tërhiqen nga grupi punues për Ligjin për Konfiskimin e pasuris

Prishtinë, 31 Maj – Organizatat që përbëjnë Forumin Këshillues të OJQ-ve për pakon Ligjore Kundër-korrupsion kanë qenë pjesë e grupit punues të Ministrisë së Drejtësisë për Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, vetëm formalisht. Deri më tani janë mbajtur vetëm tre takime, një konstituiv, dhe dy takime të llojit të seminarit, ku kanë prezantuar një ekspert italian dhe një gjerman dhe asnjë takim pune.

E vetmja formë e komunikimit me MD-në ka qenë në formë elektronike, ku Forumi i OJQ-ve ka dërguar qëndrimet në lidhje me përmbajtjen e ligjit më 1 mars të këtij viti. Nga ana tjetër, MD ka premtuar se do të organizojë takime punuese, me qëllim të shkëmbimit të ideve, por që kjo nuk ka ndodhur asnjëherë..

Ndërkohë, në strategjinë legjislative ishte paraparë që Ligji në fjalë të arrij në Kuvend gjatë muajit maj. Duke qenë dëshmitarë se është shkelur edhe ky afat, MD më 29 maj ka dërguar tek ne një draft të dytë të Ligjit që ata e quajnë për Konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale dhe ka kërkuar që për dy ditë, përkatësisht më 1 qershor të kthehen komentet tona. Kjo nënkupton se MD nuk i ka marrë parasysh qëndrimet tona rreth ligjit.

Tani, duke parë se MD ka injoruar qëndrimet e shoqërisë civile, është qëndrim i Forumit Këshillues të OJQ-ve që përbëhet nga dhjetë OJQ, që të tërhiqemi nga grupi punues dhe çdo aktivitet i mëtutjeshëm i Qeverisë, nuk e ka mbështetjen e shoqërisë civile.

Drejtuar: Ministrinë e Drejtësisë


Qëndrime

për versionin fillestar të Draft-ligjit për
Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepra Penale

1 mars 2012

Të nderuar,

Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon Ligjore Kundër-korrupsion ka zhvilluar disa takime konsultative, ku është analizuar përmbajtja e versionit fillestar të Draft-ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepra Penale. Forumi pas analizave e sheh të arsyeshme të kontestojë draft-ligjin e propozuar.

Dispozitat kryesore që përmban ky draft-ligj janë të rregulluara me legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë. Duke u bazuar në këtë fakt, Forumi ka ardhur në këto përfundime:

1. Duhet ndryshuar emri i Draft-ligjit, i cili në të njëjtën kohë reflekton në fushëveprimin dhe qëllimin e këtij Draft-ligji. Forumi rekomandon që kualifikimi “pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale”, të ndryshohet me “pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme” (edhe për rastet kur nuk ka të bëjë me vepër penale).
2. Barra e provës për të vërtetuar ligjshmërinë e pasurisë së fituar, të bie mbi të dyshuarin, e jo sipas detyrës zyrtare. Me bartjen e barrës së provës tek të dyshuarit, do të rritej mundësia e luftimit më efikas të krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme. Një përvojë e tillë çfarë rekomandon Forumi paraqitet edhe në shtetet e rajonit, si Shqipëria, Sllovenia e Bullgaria.
3. Ky Draft-ligj do të duhej të zbatohej edhe për pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme të personave të dyshuar, të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji.
4. Sugjerohet krijimi i mekanizmave të veçanta brenda institucioneve ekzistuese (polici, prokurori, gjykata) me qëllim të zbatimit më efikas të legjislacionit të kësaj fushe.

Ky Forum Këshillues shpreh përkushtimin për bashkëpunim dhe dhënie të kontributit edhe në kuadër të grupit punues brenda Ministrisë së Drejtësisë, por duke respektuar parimet themelore të lartpërmendura. Në të kundërtën bashkëpunimi jonë vije në dyshim.

Galeria e aktivitetit

g44

g43

g42

g41

g44