Nivel i dobët i zbatimit të “Ligji mbi Mbrojtjen e Informatorit” në Komunën e Gjakovës
Gjakovë, 02 Gusht – Lëvizja FOL në kuadër të serisë së debateve nëpër komuna për “Ligji mbi Mbrojtjen e Informatorëve” ka mbajtur sot takimin e radhës në qytetin e Gjakovës me temën “Pakoja Ligjore Anti-Korrupsion: Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve”. Në këtë debat u diskutua për nivelin e zbatueshmërisë së ligjeve anti-korrupsion, respektivisht Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve, si dhe se sa zyrtarët publikë denoncojnë parregullsitë, veprimet e kundërligjshme apo edhe rastet korruptive brenda institucioneve të tyre përkatëse.
Në takim pjesëmarrës ishin: nënkryetari i Komunës së Gjakovës z. Agim Koci, drejtoreshë nga Zyra e Prokurimit, Kryetarët e Partive Politike në Gjakovë, Përfaqësues të Kompanive Publike Komunale, Mediat dhe Shoqëria Civile. Në takim munguan përfaqësuesit nga Gjykata Themelore në Gjakovë, Prokuroria si dhe Policia.
Hapjen e takimit e bëri Elbasan Racaj nga Lwvizja FOL, me ç’rast ai prezantoi të gjeturat e hulumtimit që Lëvizja FOL ka bërë rreth zbatueshmërisë së Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve. Ndër të tjera ai tha se 73.6% e zyrtarëve janë të informuar për ekzistimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, 20.1% nuk janë të informuar për ekzistimin e tij, dhe 6.3% nuk e dinë nëse ekziston apo jo.
Ndërkaq, Agim Koci – nën Kryetari i Komunës së Gjakovës fillimisht përgëzoi Lëvizjen FOL për këtë iniciativë dhe për debatin e organizuar. Ai tha se “duhet të ndryshohet mentaliteti i qytetarëve rreth qasjes në këtë ligj. Ai gjithashtu tha se institucionet duhet të kenë më shumë kontakte dhe të i’u tregojnë qytetarëve se ligji nuk ka asnjë tipar apo nuk merr kahje negative. Sipas z. Koci Komuna e Gjakovës e ka një mbikëqyrës për denoncimin e parregullsive”. Ai më tutje shtoi se “OJQ-të duhet ta mbajnë përgjegjësinë në mënyrë që të mos kontribuojnë në uljen e besimit nga ana e qytetarëve në institucionet lokale”.
Nga AKR, z. Ali Tafarshiku tha se “qytetarët e njohin ligjin por në Gjakovë nuk kanë se ku t’i raportojnë rastet e këtilla. Ka zyrtar që nuk e kanë gatishmërinë që ti raportojnë eprorit të tij rreth ndonjë rasti. Dyshojnë në korrektësinë e përgjegjegjësve sepse ata kanë pak njohuri për ligjin. Ai më tej shtoi se zyra ligjore duhet të mbajë takime, t’i njoftoj shërbyesit rreth këtij ligji dhe se duhet të emërtojnë zyrtarin për denoncimin e korrupsionit sepse një zyrtarë të tillë Komuna e Gjakovës nuk e ka”.
Luan Gola nga radhët e LDK-së, tha se “po shkon zinxhirë lidhja e ngushtë mes prokurorisë dhe politikës sepse raste të denoncimit nuk është se nuk ka por ato po heshtën dhe po mbesin aty ku janë e nuk po vazhdohen më tutje”. Ai më tej tha se “kjo na len të kuptojmë që duhet të vazhdohet tutje me vetëdijesim të qytetarëve, zyrtarët gjithashtu duhet t’i lexojnë ligjet në tërësi si dhe duhet të forcohet guximi i qytetarëve më shume se sa është sot”.
Ndërsa Teki Dobroshi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se “ekzistojnë raste të tilla të denoncimit të parregullësive, por që një dukuri e tillë duhet të vazhdohet të luftohet deri në fund”. Ai më tej tha se “raste të tilla në Gjakovë po hasin në vesh të shurdhët dhe po shuhen me kalimin e kohës”.
Diskutimi më tej vazhdoi mes përfaqësueseve të Kompanive Publike në Gjakovë, shoqërisë civile si dhe mediave, të cilët ne instancë të fundit u pajtuan që guximi për denoncim ekziston nga ana e zyrtarëve, por ata fillimisht nuk e dijnë që ekziston një person përgjegjës për pranimin e këtyre parregullësive si dhe nuk e kanë besimin në institucionet si Prokuroria dhe Gjykata, sepse sipas tyre ato janë të politizuara.