Nga 50 vendime të Qeverisë në dy muaj, asnjë kundër korrupsionit
Prishtinë 27 Maj 2011-Lëvizja FOL, sot ka publikuar raportin dy mujor (mars dhe prill) mbi aktivitetet institucionale në luftë kundër korrupsionit.
Në bazë të këtij raporti del se Qeveria e Kosovës gjatë këtyre dy muajve ka miratuar gjithsej 50 (pesëdhjetë) vendime. Nga këto vendime asnjë nuk ka qenë në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar apo ekonomisë joformale. Në kuadër të këtyre vendimeve ka qenë edhe ai për themelimin i Njësisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Zbatimin e Ligjit dhe ai i Strategjisë Legjislative për vitin 2011.
Kuvendi i Kosovës gjatë dy muajve (mars dhe prill) ka mbajtur gjithsej 7 seanca plenare. Prej tyre 4 (katër) janë mbajtur në muajin mars dhe 3 (tri) sosh në muajin prill. Në asnjërën nga këto seanca nuk është diskutuar për nivelin e lartë të korrupsionit në institucionet publike të vendit.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë tre mujorit të parë nuk është treguar produktivë në zgjidhjen e lëndëve anti-korrupsion. Në kuadër të kategorisë “shpërdorim me detyrën zyrtare ose autorizimit” kanë qenë 81 lëndë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese, 17 lëndë të pranuara në punë, 98 lëndë aktualisht në punë, vetëm 14 lëndë të zgjidhura dhe gjithsej 84 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura. Në kuadër të kategorisë “marrja e ryshfetit” kemi 21 lëndë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese, 2 të pranuara në punë, 23 lënë aktualisht në punë, 0 lëndë të zgjidhura dhe 23 kanë mbetur të pazgjidhura. Ndërkaq në kuadër të kategorisë “dhënie e ryshfetit” kemi 9 lëndë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese, 0 lëndë të pranuara në punë, 9 lëndë aktualisht në punë, 0 lëndë të zgjidhura dhe 9 kanë mbetur të pazgjidhura.
Sipas statistikave të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK) rezulton se Policia e Kosovës në muajt mars-prill ka zhvilluar gjithsej 106 hetime: 96 për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe 10 për marrje të ryshfetit. Prej tyre vetëm 2 (dy) janë arrestuar, 16 raste janë dërguara në Prokurori me kryerës të njohur, 26 raste të dërguara me raport të veçantë në Prokurori. Ndërkaq vlera e dëmeve të supozuara përllogaritet të jetë 139355.00 Euro: 131,950.00 për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit dhe 7,405.00 për marrje të ryshfetit.
Ndërsa Doganat e Kosovës gjatë dy muajve (mars dhe prill) kanë shqiptuar gjithsej 5 masa disiplinore. Këto masa kanë qenë vetëm për muajin prill. Në kuadër të tyre janë 3 vërejtje me shkrim dhe 2 sosh rekomandim për trajnim. Ndërkaq në kuadër të Sektorit për Standarde Profesionale janë paraqitur gjithsej 8 raste: 4 në muajin mars dhe 4 të tjera në muajin prill. Në muajin mars janë shqiptuar për neglizhencë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kurse në muajin prill janë shqiptuar për shkak të dëmtim të pronës së Doganës (1), për mos-paraqitje në punë (1) dhe 2 raste të tjera për neglizhencë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Publikimi i këtij Raporti u mundësua nga USAID-i përmes Programit për Fuqizimin e Shoqërisë Civile dhe implementuar nga Instituti për Komunitete të Qëndrueshme.