Monitoruesi i Prokurimit: Milionat e rrezikuara nga tenderët e parregullt
Prishtinë, 02 gusht 2012 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencën për shtyp, në të cilën ka publikuar Raportin Monitoruesi i Prokurimit për periudhën prill-qershor 2012. Ky raport përfshinë parregullsitë ligjore të Ministrive, Komunave dhe Ndërmarrjeve Publike në fushën e prokurimit publik.
Menaxher i Programeve në Lëvizjen FOL, Fidan Kalaja, tha se “të dhënat e këtij raporti tregojnë �recidivizmin’ e shumë institucioneve dhe ndërmarrjeve publike në shkeljet ligjore që i kanë bërë gjatë procedurave të prokurimit”. Sipas tij, “këtij grupi i prinë KEK-u i, ku gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kjo ndërmarrje ka bërë shkelje ligjore në 6 aktivitete të ndryshme të prokurimit, duke u pasuar nga PTK dhe Ministria e Infrastrukturës me nga tre tenderë”.
Më tutje, Fidan Kalaja tha se “përgjatë periudhës tremujore, prill-qershor 2012, këto institucione kanë bërë shkelje ligjore në gjithsej 13 tenderë të ndryshëm”. Ai theksoi se “prej këtyre 13 tenderëve të parregullt, vetëm në 4 prej tyre kemi arritur të sigurojmë shumën financiare të tyre, e cila rezulton të jetë 2.6 milionë EURO, e cila shumë potencialisht ka qenë e rrezikuar të keqpërdoret”. Mirëpo, edhe shumica e tenderëve tjerë janë të vlerës së madhe, ku sipas Ligjit të Prokurimit janë tenderë me vlerën e mbi 500 mijë EURO.
Ndërkaq, Koordinator i Projekteve në Lëvizjen FOL, Kenan Tora, tha se “ministritë kanë shkelur dispozitat ligjore të prokurimit publik në gjithsej 4 tenderë, ku Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje në dy aktivitete të ndryshme prokurimi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në nga një aktivitet të prokurimit”.
Ndërmarrjet Publike (KEK dhe PTK) kanë vazhduar edhe gjatë kësaj periudhe me shkelje ligjore, ku Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë shkelje ligjore në 3 aktivitete prokurimi, ndërkaq PTK ka bërë shkelje në gjithsej 2 tenderë.
Komunat kanë bërë shkelje ligjore në gjithsej 4 aktivitete prokurimi, ku komuna e Gjilanit, Vitisë, Ferizajt dhe Kamenicës kanë bërë shkelje ligjore në nga një aktivitet të prokurimit.
Përgjatë periudhës tremujore gazetat ditore kanë publikuar gjithsej 62 artikuj të ndryshëm. Prej këtyre 62 artikujve gazetaresk 21 kanë qenë raportime hulumtuese: 6 në muajin prill, 8 në muajin maj dhe 7 në muajin qershor. Ndërkaq 41 sosh kanë qenë të publikuara në formën e lajmeve: 13 në muajin prill, 23 në muajin maj dhe 5 sosh në muajin maj.
Ky aktivitet është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO?K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) si dhe projekti i mbështetur nga Civil Rights Defenders (CRD).