Monitoruesi i Korrupsionit: Ligjet dhe vendimet anti-korrupsion, vetëm sa për sy e faqe
Prishtinë ” Lëvizja FOL sot ka mbajtur konferencën për shtyp, ku ka prezantuar raportin e saj dy mujor “Monitoruesi i Korrupsionit”, për periudhën korrik-gusht 2011. Sipas hulumtuesit të politikave, Armend Mazreku, “institucionet e Kosovës, marrë në tërësinë e tyre, nuk kanë shënuar progres në luftë kundër korrupsionit”. Më tutje, ai pohoi se “pavarësisht ndryshimeve të bëra në kuadër të legjislacionit anti-korrupsion, prapëseprapë ekzistojnë hapësira të mëdha juridike, të cilat do ta pamundësojnë edhe më tutje intensifikimin e aktiviteteve institucionale në luftë kundër korrupsion”.
Sipas këtij raporti rezulton se Qeveria e Kosovës gjatë dy muajve (korrik-gusht) ka miratuar gjithsej 88 (tetëdhjetetetë) vendime: 51 vendime në muajin korrik, ndërkaq 37 sosh në muajin gusht. Derisa në muajin korrik janë nxjerrë vetëm 3 vendime kundër korrupsionit, muaji gusht ka qenë edhe më keq: me vetëm 1 vendim. Në kuadër të këtyre vendimeve hyjnë miratimi i projekt-ligjit për Parandalim të Konfliktit të Interesit, ai për Deklarimin, Kontrollin dhe Prejardhjen e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë, ai për Mbrojtjen e Informatorëve, si dhe ai për Financimin e Subjekteve Politike;
Kuvendi i Kosovës gjatë dy muajve (korrik dhe gusht) ka mbajtur gjithsej 8 seanca plenare: 2 seanca të jashtëzakonshme dhe 6 sosh të rregullta. Prej tyre 7 janë mbajtur në muajin korrik dhe vetëm 1 në muajin gusht. Në seancat plenare të muajit korrik janë shqyrtuar projekt-ligjet për Mbrojtjen e Informatorëve; Prokurimin Publik; Deklarimin, Kontrollin dhe Prejardhjen e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë; Parandalimin e Konfliktit të Interesit si dhe ai për Financimin e Subjekteve Politike;
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është treguar shumë pak produktiv gjatë muajit korrik. Në kuadër të kategorisë “shpërdorim i detyrës zyrtare” 122 lëndë kanë qenë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese, 1 lëndë është pranuar në punë, 1 lëndë kanë në proces të shqyrtimit, vetëm 2 lëndë janë zgjidhur, ndërkaq 121 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura. Në kuadër të kategorisë “marrje e ryshfetit” kemi 20 lëndë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese, asnjë lëndë të pranuar në punë, 30 lëndë në proces të shqyrtimit, asnjë lëndë të zgjidhur dhe 30 sosh të pazgjidhura në fund të periudhës raportuese. Ndërkaq në kuadër të kategorisë “dhënie e ryshfetit” kemi 14 lëndë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese, 2 lëndë të pranuara në punë, 16 lëndë në proces të shqyrtimit, vetëm një lëndë të zgjidhur dhe 15 lëndë të tjera të pazgjidhura;
Sipas statistikave të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK) rezulton se në muajt korrik-gusht janë zhvilluar gjithsej 277 hetime: 151 raste në muajin korrik dhe 126 në muajin gusht. Prej këtyre hetimeve 11 zyrtarë kanë përfunduar të arrestuar: 3 në muajin korrik dhe 8 në muajin gusht. Gjithashtu, janë dërguar gjithsej 142 lëndë në Prokurori: 73 raste në muajin korrik dhe 69 raste të tjera në muajin gusht. Në kuadër të këtyre lëndëve 87 raste janë dërguar në prokurori me kryerës të njohur, 5 raste me kryerës N/N. Ndërkaq, në kuadër të rasteve të dërguara me raport të prokurorit janë gjithsej 50 raste: 21 raste të dërguara në muajin korrik dhe 29 raste në muajin gusht. Ndërkaq vlera e dëmeve të supozuara përllogaritet të jetë 1,226,300.00 “: 666,313.00 ” në muajin korrik dhe 559.987.00 ” në muajin gusht;
Doganat e Kosovës gjatë dy muajve kanë shqiptuar gjithsej 6 masa disiplinore. Në kuadër të tyre 6 kanë qenë në muajin korrik dhe asnjë lëndë e vetme në muajin gusht. Në kuadër të këtyre masave disiplinore 2 raste janë vërejtje me shkrim, 2 raste ndalim promovimi, 1 rekomandim për mos vazhdim të kontratës së punës, dhe 1 rast tjetër tjetër transfer në detyrë tjetër. Ndërkaq në kuadër të Sektorit për Standarde Profesionale janë paraqitur gjithsej 2 raste: 1 rast në muajin korrik për sjellje jo-profesionale dhe 1 rast tjetër në muajin qershor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Publikimi i këtij raporti është përkrahur nga Ambasada Britaneze në Prishtinë.