Monitorimi i takimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën korrik– dhjetor 2024
Në kuadër të projektit “Ngritja e vetëdijes dhe besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit të drejtësisë”, mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe në partneritet me Qendrën për Studime të Avancuara FIT, Lëvizja FOL ka vazhduar monitorimin e takimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për periudhën korrik – dhjetor 2024.
Gjatë kësaj periudhe monitoruese, KGjK ka mbajtur gjithsej 11 takime. Nga 11 agjenda të publikuara në ueb-faqen zyrtare të KGjK-së, 10 prej tyre janë publikuar në kohën e paraparë nga Ligji për Këshillin Gjyqësor, konkretisht sipas nenit 14, paragrafi 2, ku kërkohet që “Rendi i ditës së Këshillit duhet të bëhet publik së paku dyzet e tetë (48) orë para takimit.” Ndërsa një agjendë nuk ka arritur të publikohet në kohën e paraparë.
Nga 11 takimet e mbajtura, KGjK ka publikuar agjendat në dy gjuhët zyrtare. Gjatë kësaj periudhe monitorimi, 20 pika të rendit të ditës të takimeve të mbajtura janë mbajtur të mbyllura për publikun.
Për sa i përket përbërjes së Këshillit Gjyqësor, deri më 7 gusht 2024, KGjK kishte 12 anëtarë. Mirëpo, nga muaji gusht, anëtarja e KGjK-së nga radhët e komunitetit serb ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj, dhe që nga ajo kohë, KGjK përbëhet nga 11 anëtarë. Për më shumë detaje, shih infografikat tona këtu.