Mbahet mbledhja e Kuvendit të Anëtarëve: Petrit Zogaj zgjedhet Drejtor Ekzekutiv
Prishtinë, 2 shtator 2011: Në bazë të Ligjit për Lirinë e Asocimit në Republikën e Kosovës dhe Statutin e organizatës, me datë 27 gusht 2011, është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Anëtarëve të Lëvizjes FOL, i cili është organi kryesor vendimmarrës në organizatë. Në këtë mbledhje është miratuar raporti gjashtë mujor i punës dhe ai financiar për periudhën Janar-Qershor 2011.
Gjatë periudhës janar-qershor 2011, FOL ka realizuar 10 publikime të ndryshme (Raporte dhe Analiza), 5 konferenca për shtyp, janë organizuar 14 tryeza të rrumbullakëta në nivel qendror dhe lokal, janë koordinuar 2 deklarata të përbashkëta të Shoqërisë Civile, një reagim publik, kemi nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për monitorimin e prokurimit me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë e Shëndetësisë si dhe kemi organizuar dy turne të debatit për shkolla të mesme në formatin “Karl Popper”, një në Pejë dhe një në Vushtrri.
Në këtë mbledhje u bë zgjedhja e Drejtorit të ri të Lëvizjes FOL po ashtu u emërua Bordi i ri i organizatës. Me 17 vota për dhe 3 abstenime, Petrit Zogaj është zgjedhur drejtor i ri i Lëvizjes FOL. Me vota unanime anëtar të rinj të Bordit Këshillëdhënës të Lëvizjes FOL janë zgjedhur znj. Valdete Idrizi, z. Genc Salihu, z. Gëzim Visoka si dhe z. Halil Matoshi.
Petrit Zogaj është bashkëthemelues i Lëvizjes FOL dhe ka shërbyer deri tani në pozitën e Menaxherit të Programeve. Petriti ka përfunduar studimet për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës.
Lëvizja FOL falënderon: Kuvendin e Anëtarëve, Bordin Këshillëdhënës, Stafin, posaçërisht falënderon drejtorin e deritanishëm të Lëvizjes FOL, z. Ramadan Ilazi, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm për arritjen e objektivave të Lëvizjes FOL, të cilat kanë kontribuar në fuqizimin e Shoqërisë Civile në Kosovë.