Mangësi të shumta e zbatim i ulët i Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve në Komunën e Pejës
Pejë, 13 Shtator – Lëvizja FOL, në kuadër të serisë së debateve nëpër komuna për “Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve” ka mbajtur sot takimin përmbyllës në komunën e Pejës me temën “Pakoja Ligjore Anti-Korrupsion: Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve”. Në këtë debat u diskutua për nivelin e zbatimit të ligjeve anti-korrupsion, respektivisht Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve dhe se sa zyrtarët publikë denoncojnë parregullsitë, veprimet e kundërligjshme apo edhe rastet e korrupsionit brenda institucioneve të tyre përkatëse.
Në fillim të këtij debati, Elbasan Racaj nga Lëvizja FOL, prezantojë të gjeturat dhe zbrazëtitë ligjore të ligjit në fjalë, si nga aspekti i dispozitave dhe sanksioneve po ashtu edhe nga pikëshikimi i përvojave që zyrtarët publik kanë mbi ekzistimin dhe përmbajtjen e ligjit. Ndër të tjera ai tha se “rreth 73.6% e zyrtarëve janë të informuar për ekzistimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, ndërsa 23.4% nuk janë fare të informuar për ekzistimin e ligjit në fjalë”. Tutje, Elbasan Racaj ka shtuar se zyrtarët publikë kanë njohuri edhe më të pakta kur bëhet fjalë për përmbajtjen e ligjit “ku vetëm 15.3% e këtyre zyrtarëve deklarohen të kenë njohuri të thella, 60% deri diku, 21% pak, kurse 4% deklarohen të mos kenë fare njohuri përmbajtjesore”.
Ne vazhdim të tryezës, fjala u mor nga ana e përfaqësuesit të zyrës ligjore pranë Komunës së Pejës, z. Pandeli Rugova, deklaroi se “jemi te shqetësuar me nivelin e zbatimit te Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve e në veçanti edhe me zbatimin e ligjeve të tjera në përgjithësi. Ky ligj është i pazbatueshëm dhe si i tille nuk jep efektet e duhura, duke mbetur në një stad të ulët te zbatimit”. Tutje, z. Rugova shtoi se “ligjet në përgjithësi do duhej të përshtateshin me ambientin politik, shoqëror dhe ekonomik në Kosovë para se të aprovohen nga instancat e larta të Republikës së Kosovës”. Ndërsa, sa i përket normave te Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, z. Rugova shtoi se “dispozitat dhe sanksionet rreth nenit mbi denoncimin nga ana e personave raportues është sfidues, ngase nuk është e specifikuar qartë mbrojtja e këtyre personave”. Në fund, z. Rugova deklaroi se “nuk do të mungojë angazhimi mbi zbatimin e ligjeve edhe pse shpesh hasen pengesa objektive dhe subjektive të cilat pamundësojnë zbatimin e ligjeve”. Sipas tij “njëra ndër pengesat të cilat sjellin një zbatueshmëri të ulët është edhe mungesa e emërimit të instancave dhe personave përgjegjës për pranimin e informative, ku një dukuri e tille haset edhe pranë Komunës së Pejës”.
Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë së Mbeturinave, z. Nexhat Avdullahu, deklaroi se ligji përmban mangësi të mëdha. Z. Avdullahu shtoi se “në ligj duhet cekur mundësia e informatorit t’u drejtohet organeve të drejtësisë në rast denoncimi të aferave korruptive.” Tutje ai tha se “Duhet vazhduar me promovimin e ligjit në fjalë”.
Në fund, z. Ukë Selimaj theksoi se “Duhet gjendur forma të ndryshme të informimit të publikut lidhur me ligjet dhe ne veçanti lidhur me Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve”.