Lufta kundër krimit dhe korrupsionit të prodhojë rezultate

Prishtinë, 6 janar 2011 – Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Republikën e Kosovës ka ardhur në një pikë kritike. Në situatën në të cilën jemi nuk ka hapësirë edhe për korrupsionin e krimin e organizuar krahas retorikës për sundim të ligjit. Duke qenë në këtë situatë, qytetarët e Republikës së Kosovës janë shikues të veprimeve që po e rrënojnë vlerat demokratike të shoqërisë sonë dhe të ardhmen evropiane të vendit.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv në Lëvizjen FOL tha se organet e rendit vendëse e ndërkombëtare duhet t`i japin fund praktikës së reagimit retorik ndaj veprimeve kriminale e korrupsionit. Sipas tij, lufta kundër krimit dhe korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, por edhe detyrim i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë ” EULEX-it.

“Përderisa gjatë vitit 2010 ka pasur progres në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ky progres ka qenë i kufizuar, minimal dhe në asnjë mënyrë në përputhje me atë që vendi ka nevojë të shoh në këtë aspekt. Emërimi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, nxirrja e ligjit për Gjykatat pastaj krijimin i Task Forcës Antik-korrupsion, ne i vlerësojmë si lajmet e mira të vitit 2010. Mirëpo, përderisa në aspektin institucional është bërë diçka, raporti i progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian ka konstatuar përsëri se vendi ka probleme serioze me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Ilazi.

Sipas tij, sistemi gjyqësor në Kosovë vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe si pjesë kryesore në kuadër të sundimit të ligjit, gjendja e gjyqësorit është treguesi më i mirë i progresit të EULEX-it në kuadër të komponentës së sundimit të ligjit. “Përderisa pjesa më e madhe e stafit të Misionit EULEX është koncentruar në sektorin e Policisë, këta të fundit deklarojnë se nuk kanë policë për veriun e Kosovës e, në anën tjetër, vlerësimi për Policinë e Kosovës është shumë i lartë nga vetë EULEX-i! Prandaj, kërkojmë nga ky mision që të përqendrohet në sektorin e drejtësisë më shumë”, tha ai.

Ndërkaq Armend Mazreku, analist i politikave në Lëvizjen FOL tha se në disa raste EULEX-i, në vend që t”i arrestojë, burgosë dhe dënojë personat e përfshirë në aktivitete kriminele dhe të korrupsionit, ky mision është treguar i “mëshirshëm” në lirimin e tyre, me arsyetimin “mungesë provash”. Në këto raste, sipas Mazrekut, gjyqtarët kosovarë dhe ata të EULEX-it do të mund t”i dënonin këto grupe së paku për ndërtime ilegale ose armë-mbajtje pa-leje.
“Kërkojmë nga EULEX-i që ta arsyetojë prezencën e vetë në Kosovë, duke luftuar kështu korrupsionin dhe aktivitetet kriminale. Mandati i tij nuk është vetëm t”i këshillojë dhe mbikëqyrë institucionet kosovare, sepse ky mision ka edhe mandat ekzekutiv në veçanti për lëndët që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nëse EULEX-i vazhdon me praktikën e deritashme, ku lufta kundër krimit dhe korrupsionit është vetëm në nivel fjalësh atëherë ky mision është i pakuptimtë”, tha ai.

Mazreku tha se me këtë rast, dëshirojmë të shprehim edhe brengën tonë në lidhje me mos-nënshkrimin e vendimit për shkarkimin e ish-Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës nga ana e Ushtruesit në Detyrë të Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. “Edhe pse rekomandimi për shkarkimin e tij ishte miratuar nga ana e Bordit të BQK-së dhe aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, u.d. Krasniqi ende nuk e ka nënshkruar shkarkimin e tij. Ne kërkojmë fuqishëm nga ana e Presidentit në detyrë që sa më parë ta nënshkruajë shkarkimin e ish-Guvernatorit, i cili është mbajtur i arrestuar dhe më pas është liruar nën dyshimin se është përfshirë në afera korruptive”.deklaroj ai.

Sipas tij, Lëvizja FOL ka vlerësuar pozitivisht krijimin e Task Forcës Anti-korrupsion dhe besojmë se tani është koha që ky organ që, së bashku me Prokurorinë Speciale të Kosovës, të bëjnë një bilanc të punës së tyre gjatë vitit 2010.