Lëvizja Fol: Për Zgjedhje të lira dhe të ndershme

Prishtinë, 14 nëntor 2009: Lëvizja FOL, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut(YIHR) dhe Iniciativa për Progres(INPO), kanë organizuar sot aksionin rrugor për të bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi zgjedhur rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ngase numërimi i votave do të jetë në Fushë Kosovë, dhe pikërisht nga ky vend dëshirojmë që të bëjmë thirrje për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dalje në zgjedhje, dhe numërim të drejtë të votave. Mexhide Demolli, menaxhere e zyrës për media në Lëvizja FOL: “Kërkojmë nga KQZ dhe organet e tjera relevante që me profesionalizëm dhe me përkushtim të mundësojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme duke kaluar kështu testin më të rëndësishëm për demokraci, për shtetin që nga 17 shkurti 2008. Të gjithë qytetarët duhet të ndihen të sigurt se të dielën ata do të jenë dëshmitarë të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”.

Bujar Aruqaj, aktivist nga Iniciativa për progres(INPO): “Ky aksion rrugor po realizohet me qëllim që të japim një mesazh të qartë për numëruesit e votave në Qendrën e Numërimit të Rezultateve se çdo votë vlen, çdo votë duhet të numërohet dhe procesi i administrimit të zgjedhjeve të jetë plotësisht i lirë, i hapur dhe transparent” Besart Lumi nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) dhe Nisma Ime: “Nisma Ime dhe YIHR vazhdimisht i ka ftuar qytetarët e Kosovës që ta shfrytëzojnë ditën kur mund të vendosin se kush do të jetë udhëheqës i proceseve politike në vendin tonë. Nesër me 15 nëntor kemi mundësinë që ti zgjedhim ata që ne mendojmë që janë të aftë ta drejtojnë vendin drejt një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”.