Lëvizja FOL ka zhvilluar takim me Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit

Prishtinë, 14 mars 2011 – Sot, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes FOL, z. Ramadan Ilazi, është takuar me Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit z. Hasan Preteni. Në këtë takim është diskutuar rreth procesit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, për ligjin mbi deklarimin e pasurisë dhe ligjin mbi konfliktin e interesit. Me këtë rast z. Preteni ka deklaruar se procesi i deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik është duke u zhvilluar sipas planifikimit të Agjencisë dhe se publikimi i deklarimeve të pasurisë do të bëhet në fillim të qershorit të këtij viti.

Gjithashtu ai ka potencuar se AKK është duke bërë një analizë të detajuar për ligjin mbi konfliktin e interesit në mënyrë që gjatë rishikimit të këtij ligji kjo Agjenci të ofrojë rekomandimet e saja për ndryshimet në këtë ligj. Në anën tjetër z. Ilazi ka theksuar se Lëvizja FOL do të jetë shumë aktive dhe do të vëzhgojë në vazhdimësi procesin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe do të ofrojë bashkëpunimin e Lëvizjes FOL në angazhimet e AKK dhe shoqërisë kosovare në luftën anti-korrupsion.