Lëvizja FOL inicion themelimin e Grupit Punues Nacional kundër Padive SLAPP në Kosovë

Prishtinë, 16 Maj 2025 – Pas anëtarësimit të Lëvizjes FOL në Koalicionin për Luftimin e Padive SLAPP në Evropë (CASE), Lëvizja FOL ka mbajtur sot takimin e parë të Grupit Punues Nacional për Paditë SLAPP (Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike) në Kosovë me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, gazetarë dhe aktivistë.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt luftimit të praktikave që synojnë të heshtin zërat kritikë dhe të frikësojnë gazetarët dhe aktivistët.

Gjatë diskutimeve, u theksua nevoja për krijimin e këtij grupi të strukturuar e gjithëpërfshirës, rëndësia e një strategjie të përbashkët për të identifikuar dhe kundërshtuar paditë SLAPP në Kosovë, si dhe hapat konkret për të ngritur vetëdijesimin dhe për të avokuar për ndryshime ligjore që mbrojnë lirinë e shprehjes.

Ky grup do të shërbejë si një platformë bashkëpunimi ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, gazetarëve, juristëve dhe akterëve të tjerë relevantë për të ndaluar abuzimin me sistemin e drejtësisë për shkaqe intimidimuese.