Lëvizja FOL bëhet anëtare e Konventës Anti-Korrupsion i Kombeve të Bashkuara – Koalicioni UNCAC
Prishtinë, 20 janar 2014- Lëvizja FOL sot është njoftuar se është bërë anëtare e Konventës Anti-Korrupsion i Kombeve të Bashkuara – Koalicioni UNCAC (http://www.uncaccoalition.org). Koalicioni UNCAC është rrjet global i më shumë se 350 organizatave të shoqërisë civile nga më shumë se 100 vende të botës. Ky rrjet i organizatave angazhohet dhe promovon luftën anti-korrupsion përmes avokimit për ratifikimin, zbatimin dhe monitorimin e Konventës Anti-Korrupsion të Kombeve të Bashkuara – UNCAC. Ky koalicion është themeluar në vitin 2006, përmes mobilizimit të organizatave të shoqërisë civile të UNCAC në nivelin ndërkombëtarë, regjional dhe kombëtarë.
Me këtë rast, Lëvizja FOL shpreh mirënjohjen për besimin e dhënë nga Koalicioni UNCAC për të qenë pjesë a angazhimit global në luftën anti-korrupsion. Kjo është edhe një shenjë e cila dëshmon njohjen dhe kontributin e FOL dhe partnerëve të saj në promovimin e luftës anti-korrupsion në Kosovë. Besojmë se ky është një rast i mirë për ne që të rrisim angazhimin tonë në përmbushjen e misionit, përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave edhe me organizata tjera regjionale e ndërkombëtare si pjesë e Koalicionit UNCAC.
Me ritëm edhe më të shtuar, ne do të vazhdojmë më tej punën tonë, në funksion të misionit, në mbrojtën e interesit publik, si mision fisnik i çdo qytetari e shoqërie.