Kriza institucionale po dëmton interesin e qytetarëve të Kosovës
Prishtinë, 14 shkurt 2011 – Lëvizja FOL, përmes kësaj komunikate për shtyp, shprehë shqetësimin e saj në lidhje me krizën institucionale dhe politike në vend. Kjo krizë, e cila vazhdon nga shtatori i vitit 2010, po i dëmton seriozisht proceset e shtet-ndërtimit në Kosovë dhe perspektivën evropiane të saj.
Pa-aftësia e klasës politike dhe institucionale që të gjej zgjidhje për krizën e krijuar më së shumti po i dëmton qytetarët e vendit. Nga kjo situatë, Kosova po e mbyll muajin e dytë të këtij viti pa buxhet të miratuar.
Gjithashtu, mungesa e institucioneve do të reflektojë veçmas në prag të përvjetorit të tretë të shpalljes së Pavarësisë së vendit, duke përçuar mesazhe jo të mira për ndërtimin e demokracisë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.
Zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 nuk i kanë dhënë shumicën e votave asnjërës parti politike për të formuar vet Qeverinë, duke imponuar kështu një qeveri të koalicionit. Nuk mund të kuptojmë vonesat për shkak të mos pajtimeve në ndarjen e posteve.
Interesat e qytetarëve të Kosovës duhet te jenë parësore dhe nuk duhet të mbeten peng i egos dhe lakmisë personale për fuqi të individëve brenda partive politike, e në këtë rast edhe brenda institucioneve të vendit.
Prandaj, partitë politike, liderët partiak, përfaqësuesit e dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, duhet t”i tejkalojnë interesat meskine të tyre, duke drejtuar agjendën kah problemet praktike, që qytetarët e Kosovës përballen për çdo ditë.