Korrupsioni ndërmjet luftës dhe retorikës
Lëvizja FOL, me përkrahje të USAID përmes Programit për Fuqizimin e Shoqërisë Civile i implementuar nga ISC ” Instituti për Komunitete të Qëndrueshme, ka mbajtur sot tryezën me temën “Korrupsioni: Ndërmjet Luftës dhe Retorikës”, me ç”rast ka publikuar raportin e saj vjetor “Monitoruesi i Korrupsionit 2010”. Pjesëmarrës në këtë Tryezë ishin përfaqësues nga Prokuroria e Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsioni, Policia e Kosovës, Shoqëria Civile si dhe përfaqësues tjerë nga institucionet publike të Kosovës.
Analisti i Politikave në Lëvizjen FOL, Armend Mazreku, tha se ky raport është produkt i monitorimit të institucioneve publike në luftën kundër korrupsion përgjatë tërë vitit 2010. Sipas tij është vërejtur një progres në luftimin e korrupsionit, mirëpo ky progres ka qenë i kufizuar dhe i pamjaftueshëm përball nivelit të lartë të korrupsionit dhe shtrirjes së gjerë të tij në institucionet e Kosovës. Më tutje ai ka bërë prezantimin e të gjeturave të këtij raporti, duke filluar nga aktivitetet e Qeverisë, Kuvendit, Këshillit Gjyqësor, Prokurorisë, Policisë, Agjencisë Kundër Korrupsion, Doganat e Kosovës, EULEX-in, Raportet Ndërkombëtare dhe shoqërinë civile.
Prokurorja në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë dhe njëherazi Koordinatore Kundër Korrupsionit, Drita Hajdari, tha se ky raport tregon gjendjen faktike të nivelit të korrupsionit në Kosovë. Ajo ka thënë se Prokuroria është duke punuar në luftimin e korrupsionit, ku ka krijuar edhe një Task-Forcë, e përbërë prej 12 prokurorëve dhe 20 policëve hetues, në luftimin e veprave korruptive. Sipas saj Prokuroria e Qarkut dhe ajo komunale në Prishtinë ka thuajse gjysmën e lëndëve korruptive në nivel vendi. Më tutje ajo ka thënë se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të jetë barrë vetëm e Prokurorisë, por edhe mekanizmave dhe institucioneve tjera.
Shefi i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovë, Shemsi Igrishta, ka thënë se Policia e Kosovës është marrë me ngritjen e kapaciteteve njerëzore, profilizimin e hetuesëve si dhe trajnime profesionale në fushën anti-korrupsion. Ai më tutje ka prezantuar shifrat e anti-korrupsionit në kuadër të kësaj drejtorie, ku ka bërë me dëmi i shkaktuar nga këto vepra korruptive përllogaritet të jetë mbi 27 milion euro.
Ndërkaq, shefi i Divizionit për Legjislacion dhe Edukim në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Burim Sadiku, ka pohuar se AKK-ja ka evidentuar disa faktorë që ndikojnë në ngritjen të korrupsionit në Kosovë: mungesa e vullnetit politik, ngecja e reformave në gjyqësor, mungesa e mekanizmave mbikëqyrës si dhe faza e transicionit. Sipas tij, format më të shpeshta të korrupsionit që ka proceduar AKK-ja është shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, falsifikimi i dokumenteve, marrja dhe dhënia e ryshfetit dhe nxjerra e vendimeve gjyqësore të pabazuara.