Konfiskimi i pasurisë, drejtësia e vërtet në luftën kundër korrupsionit

Shteti do të ishte përfituesi më i madh i konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme duke qenë se arka e shtetit do të mbushej. Mirëpo, është e qartë se në rastin e Kosovës, konfiskimi i pasurisë mund të prek interesat personale ekonomike të shumë politikanëve e zyrtarëve të lartë dhe kjo mbase është arsyeja pse gjer më tani në Kosovë kemi të konfiskuar vetëm 15 lopë dhe 32 viça

Diskursi publik ka reduktuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vendosjen parapa grilave të personave të përfshira në afera të tilla. Megjithëse në rastin e Kosovës edhe kjo e para ka hasur në vështirësi, futja prapa grilave e kriminelëve dhe të korruptuarve nuk mund të jetë objektivi kryesor, sepse drejtësia e vërtet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar arrihet kur këtyre të fundit shteti u konfiskon pasurinë që e kanë fituar në mënyrë të paligjshme. Shteti do të ishte përfituesi më i madh i një veprimi të tillë duke qenë se arka e shtetit do të mbushej. Mirëpo, është e qartë se në rastin e Kosovës, konfiskimi i pasurisë mund të prek interesat personale ekonomike të shumë politikanëve e zyrtarëve të lartë.

Konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të sendeve në bazë të vendimit të formës së prerë nga ana e gjykatës kompetente, kurse si pasuri që mund të sekuestrohen konsiderohen sendet e luajtshme e të paluajtshme, paratë dhe letrat me vlerë, të cilat janë në qarkullim juridik, ndërsa me sekuestrim nënkuptohet marrja e përkohshme e tyre në pajtim me ligjin.

Problem parësor për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme është mungesa e një ligji themelor që do t?i obligonte autoritetet ta konfiskojnë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme, duke e bërë atë pjesë integrale të hetimit, ndjekjes dhe ndëshkimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kosova megjithëse ka bazë ligjore për konfiskim të pasurisë, legjislacioni aktual nuk është i mjaftueshëm dhe ka mangësi. Duke shfrytëzuar këtë amulli të kornizës ligjore dhe një gjyqësor jofunksional, krimi i organizuar ka krijuar një terren gjithëpërfshirës nga i cili individë apo grupe të caktuara kanë krijuar pasuri marramendëse.

Prandaj pa një bazë të qartë ligjore dhe pa sistem të pavarur me të gjithë mekanizmat përcjellës, vështirë të arrihen rezultate konkrete në  luftimin e krimit të organizuar, apo konfiskimi i pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme.

Krimi i organizuar, apo veprimet tjera të kundërligjshme përmes të cilave arrihet përvetësimi i paligjshëm i pasurisë nuk është i pranishëm vetëm në Kosovë. Vepra të tilla kriminal në botë sot janë pothuajse të përditshme. Jo rastësisht në teorinë kriminalistike këto veprime njihen si kriminaliteti i ?jakave të bardha? dhe përsosmëria e tyre mund të arrijë perfeksionin.

Vendet e rajonit si Kroacia, Serbia dhe Shqipëria deri më sot kanë ligjet e tyre apo të ashtuquajturën ?paketën e ligjeve anti-mafia?. Aktualisht Bosnje e Hercegovina dhe Kosova janë të vetmet shtete në rajon që nuk e kanë të miratuar këtë lloj ligji që rregullon kornizën institucionale ekzekutuese për administrimin e pasurive të konfiskuara ose të sekuestruara që janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme.  Për dallim nga Kosova, Bosnje e Hercegovina e ka të rregulluar pjesërisht këtë gjë nëpërmjet ligjit penal të saj. Ndërkaq Kroacia, Shqipëria dhe Serbia në legjislaturën e tyre kanë të miratuar këtë paketë ligjesh, ku nuk përfshihet vetëm ligji për konfiskim të pasurisë, por një sërë ligje të tjera të kësaj natyre.

P.sh. Kroacia dhe Serbia në paketën anti-mafia kanë nga 4 ligje, të cilat janë të përputhshme mes vete, përkatësisht Ligjin për luftimin e korrupsionit, atë për konfliktin e interesave, për krimin e organizuar dhe trafikimin, si dhe ligjin për konfiskimin e pasurisë. Shqipëria po ashtu ka bërë një ligj për konfliktin e interesave, ku shumë qartë përcaktohet se asnjë zyrtar, i cili punon në organet publike, e njëherësh është ndërmarrës privat, nuk mund të marrë asnjë punë publike përderisa qëndron në atë post. Po ashtu edhe ligji për konfiskim të pasurisë përcakton qartë fushë veprimtarinë dhe kompetencat e tij.

Pa një paketë të tillë ligjore, dhe pa u siguruar se të gjitha ligjet në fjalë janë në harmoni me njëri-tjetrin nuk ka mundësi të krijohet një bazë të fortë ligjore. Prandaj, në këtë kontekst, nuk mund të ketë një ligj të mirë për konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme dhe ligje të tjera të kësaj natyre.

Ligji potencial në këtë fushë në Kosovë duhet qartë ta përcaktojë se pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme bëhet në mënyra të ndryshme joligjore dhe ligjore. Ligji duhet të përcaktojë se prejardhja e një pasurie duhet të dëshmohet dhe arsyetohet nga ana e vetë bartësit dhe poseduesit të saj dhe jo që pasurinë e tij ta dëshmojë ose arsyetojë shteti.
Duke i kërkuar një personi fizik ose juridik të dyshimtë që të dëshmojë prejardhjen e pasurisë që pretendon se e zoton e vë atë në sprovë të madhe. Kjo pasi që shteti është i kufizuar ta bëjë atë për arsye se ligjet dhe procedurat e brendshme që e kufizojnë atë. Për shembull, shumë veprimtari ekonomike dhe persona juridik që sot ekzistojnë në Kosovë operojnë në mënyrë legale, dhe nëse organet e drejtësisë hetojnë veprimtarinë e tyre zakonisht nuk do të nxirren rezultatet e kërkuara. Mirëpo, një gjë të tillë me ligj i obligon vetë këta persona që të dëshmojnë prejardhjen e pasurisë së tyre edhe atëherë kur dyshohet të ketë pista të mjaftueshme për t?i hetuar, ndonëse një gjë e tillë është e vështirë nëse bëhet vetëm nga informacionet e ofruara nga ana e tyre.

Pasuria përvetësohet shpeshherë jashtë një territori të caktuar, ndërsa fryti i saj investohet legalisht diku tjetër. Prandaj, paketa e ligjeve anti-mafia në Kosovë duhet të përfshijë një gamë të gjerë ligjesh, të cilat do të rregullojnë me saktësi mënyrën e fitimit të pasurisë dhe ndërlidhjen e saj mes vete, sepse për vepra të tillë të kundërligjshme nevojitet një rrjet tepër i organizuar, i sofistikuar dhe kriminal.

Kosova ende nuk e ka miratuar Legjislacionin kornizë për konfiskimin e pasurisë, ndonëse kryeministri Hashim Thaçi ka pohuar ta ketë iniciuar një gjë të tillë nga mesi i 2010-ës.

(Ky shkrim është bazuar nga analiza e publikuar nga FOL me titull ?Analizë mbi kornizën ligjore kundër pasurisë së përvetësuar në mënyrë të paligjshme?)