Instalacioni: From Here to Anywhere

Prishtinë, 8 maj 2025 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencë me ç’rast ka prezantuar instalacionin “FROM HERE TO ANYWHERE”, në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës.

Mexhide Demolli Nimani – Drejtore e Lëvizjes FOL tha se gjatë gjithë këtyre viteve, Kosova ka gëzuar bashkëpunim të vazhdueshëm dhe mbështetje të rëndësishme nga shtetet e Bashkimit Evropian – në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik, reformat në drejtësi dhe në rrugën drejt forcimit të sundimit të ligjit. Për këtë ndihmë dhe solidaritet, qytetarët e Kosovës janë mirënjohës dhe e vlerësojnë thellësisht kontributin evropian në ndërtimin e së ardhmes së vendit tonë.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, znj. Karin Boven tha se si pjesë e këtij festimi njëjavor, jam e kënaqur që sot bashkohemi për të shënuar këtë rast përmes artit. “Kjo vepër na fton të gjithëve të lëvizim, të ndalemi dhe ta përjetojmë veprën jo vetëm si vëzhgues, por si pjesëmarrës. Me çdo lëvizje të lëkundjeve, ne i japim jetë hapësirës. I shndërrojmë fjalët në lëvizje dhe lëvizjen në kuptim.  Sipas saj, kjo nuk është vetëm një vepër arti – është një ftesë për të jetuar vlerat që na lidhin si evropianë: unitetin, paqen dhe solidaritetin. “Faleminderit që na bashkoheni në këtë moment. Le të bëhet ky instalacion pjesë e ritmit tonë të përbashkët – diçka për t’u kthyer, për t’u lëkundur poshtë dhe për të endur me të. Në këtë Ditë të Evropës, le ta çojmë mesazhin e saj përpara: që nga këtu, me të vërtetë, mund të shkojmë kudo – së bashku”, tha Ambasadorja Boven.

Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës znj. Sibel Halimi tha i falënderoi organizatorët që e shndërruan këtë hapësirë në vepër arti. “Lëvizja është liri. Dhe të gjitha simbolikat që janë përdor në këtë instalacion na zhvendosin drejtë lirisë, drejtë thyerjës së barrierave jo vetëm fizike por edhe mendore”, tha Halimi.  

 

Autori Driton Selmani tha se skulptura fton qytetarët për reflektim dhe lojë, duke e kthyer lëvizjen në një akt simbolik të bashkimit përtej dallimeve dhe diversitetin si lojë. “E vendosur në një mjedis urban, vepra bëhet pjesë e jetës së përditshme – duke i dhënë hapësirës publike si dritë ashtu edhe thellësi”, tha Selmani.

Projekti u realizua nga Lëvizja FOL dhe Prishtina Institute for Political Studies (PIPS), me mbështetje nga programi MATRA i Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë, dhe me leje nga Drejtoria e Parqeve – Komuna e Prishtinës.