Gratë të papërfaqësuara në këshillat lokale: nga 740 kryesues, vetëm 7 janë gra

Prishtinë, 1 mars 2022 – Lëvizja FOL me mbështetjen financiare të Rockefeller Brothers Fund ka mbajtur sot konferencë për media ku ka publikuar monitorimin e raportit “Komunat nuk zbatojnë Udhëzimin Administrativ të MAPL-së Nr.02/2019”.

FOL ka monitoruar nivelin e implementimit të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale si dhe Udhëzimin Administrativ (MAPL) nr. 02/2019 për Organizimin, Funksionimin dhe Bashkëpunimin e Komunave me Fshatrat, Vendbanimet dhe Lagjet Urbane ku në mënyrë të hollësishme është shtjelluar çështja e përzgjedhjes së këshillave lokalë.

Ardi Shatri tha se “sipas udhëzimit administrativ në fuqi, komunat duhet të miratojnë rregullore të reja komunale për rregullimin e këshillave lokale në përputhshmëri me kërkesat e këtij udhëzimi administrativ brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e tij”.

Shatri tha se “sipas monitorimit të FOL, nga 38 Komunat e Kosovës, 14 komuna (Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Skenderaj, Kamenicë, Hani i Elezit, Lipjan, Klinë, Kaçanik, Viti, Kllokot, Graçanicë) i kanë të publikuara në ueb-faqet e tyre zyrtare versionet e reja të rregulloreve komunale për organizimin dhe funksionimin e këshillave lokal, të cilat janë në përputhshmëri me kërkesat e udhëzimit administrativ në fuqi”.

Nga komunat që i kanë publikuar rregulloret e reja, vetëm 2 komuna (Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Pejës) janë duke e implementuar plotësisht rregulloren e re në praktikë, tha ai. Nërkaq, 13 komuna (Deçan, Istog, Dragash, Obiliq, Leposaviq, Rahovec, Prishtinë, Suharekë, Vushtrri, Gllogoc, Podujevë, Gjilan dhe Novobërdë) janë duke funksionuar me rregulloret e vjetra, që nuk janë në përputhshmëri me udhëzimin administrativ në fuqi. 11 komuna (Fushë Kosovë, Partesh, Shtime, Shtërpcë, Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut, Junik, Mamushë, Malishevë, Ranillugë) nuk kanë publikuar asnjë version të rregulloreve.

Sipas Shatrit “komunat të cilat kanë publikuar rregulloren e re komunale në përputhshmëri me kërkesat e udhëzimit administrativ janë Komuna e Mitrovicës, Gjakovës dhe ajo e Pejës”, ndërkaq komuna e Podujevës ka treguar se rregullorja gjendet ende në fazën e konsultimit publik”. Ndërkaq, komuna e Gjilanit e ka të publikuar rregulloren e vjetër komunale që nuk është në përputhshmëri me kërkesat e udhëzimit administrativ.

Shatri tha se sa i përket statusit të përzgjedhjes së këshillave lokal, sipas të dhënave të dërguara nga zyrtarët përgjegjës të komunave, nga gjithsej 38 Komunat e Kosovës, 18 prej tyre (apo 47 %) i kanë themeluar këshillat lokal të cilat janë duke funksionuar normalisht, 8 komuna (apo 8%) kanë raportuar që këshillave lokale ju ka kaluar mandati, apo se ende nuk janë zgjedhur, kurse 12 komuna (apo 31%) nuk kanë kthyer fare përgjigje rreth statusit të themelimit dhe funksionimit të këshillave lokal.

Sipas të dhënave të siguruara nga FOL, nga 740 kryesuesit e zgjedhur të këshillave lokal, 733 prej tyre, apo 99% janë burra, kurse vetëm 7 janë gra (përkatësisht vetëm 1%). Komunat të cilët kanë zgjedhur kryetare gra të këshillave lokal janë: Komuna e Pejës (me 3 gra kryetare të këshillave), Komuna e Shtimes dhe Komuna e Prizrenit (me nga 2 gra kryetare të këshillave), tha Shatri.

FOL i rekomandon Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që të koordinohet me Asociacionin e Komunave të Kosovës rreth aprovimit të rregulloreve të reja komunale për përzgjedhjen e këshillave lokal, si dhe themelimit dhe funksionimit të këshillave lokal në përputhshmshmëri me rregulloren komunale, udhëzimin administrativ dhe ligjin për vetëqeverisje lokale.

Për më shumë ju lutem gjeni të bashkangjitur linkun e raportit: https://bit.ly/3HqKpCo.