Gjykimet e drejta të domosdoshme për rritjen e besueshmerisë në sistemin e drejtësisë

Prishtinë, 20 Dhjetor 2013– Lëvizja FOL ka organizuar sot tryezën me temën: E Drejta për “Gjykim të Drejtë”, me ç’rast është publikuar raporti po me të njëjtin titull. Kjo tryezë ka shërbyer si platformë ku janë diskutuar parakushtet e të drejtës për Gjykim të Drejtë si dhe zbatimi i saj në praktikë në Kosovë, temë kjo e cila është analizuar edhe në raport.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës, Eulexi, shoqëria civile, mediat si dhe ekspertë të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Kenan Tora nga Lëvizja FOL deklaroi se, qëllimi i këtij raporti është analizimi i parakushteve të drejtës për Gjykim të Drejtë dhe zbatimit të saj në praktikën gjyqësore në kontekst të rasteve të ndërlidhura me korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtarë të monitoruara nga Lëvizja FOL. Më pas Admir Salihu po ashtu nga Lëvizja FOL vazhdoi me të gjeturat kryesore të raportit si dhe rekomandimet e dala nga ky raport. Ai tha se: E drejta për Gjykim të Drejtë është e drejtë e garantuar me të gjitha Konventat Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe po ashtu zbatimi i saj në Kosovë është fuqizuar edhe me Kushtetutën dhe ligjet e tjera në fuqi në Kosovë. Megjithatë, sistemi i tanishëm ekzistues nuk siguron mbrojtje adekuate. Zotimi i institucioneve publike të Republikës së Kosovës për zbatimin e standardeve ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të fuqizuara me Kushtetutë, kërkon përkushtim shumë më të madh në praktik. Ai vazhdoi se, rekomadohet trajnim dhe edukim i vazhdueshëm i gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve në lidhje me të drejtat e njeriut, standarde më të larta të të vepruarit nga ana e prokurorëve, stadandarde më të larta etike dhe juridike dhe të ndërrmerren masa adekuate përfshirë edhe ato disiplinore në rastet kur avokatët nuk veprojnë në pajtim me standardet profesionale të përcaktuara në kodet e Odës së Avokatëve apo të dispozitave ligjore.

Ndërkaq Fikrije Krasniqi-Fejzullahu- Prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, vlerësoi lartë hartimin e këtij raporti dhe tha se të gjitha të gjeturat e raportit si të tilla qëndrojnë e po ashtu vlerësoi edhe rekomandimet e dhëna. Ajo tha se grumbullimi i lëndëve është njëra ndër shkaqet kryesore që ndikon në vonesën në gjykim të lëndëve, gjë e cila ka ndikim të drejtpërdrejt në zbatimin e standardeve për Gjykim të Drejtë.

Hilmi Jashari- ekspertë i të drejtave të njeriut tha se ky raport do të ndihmojë në trasimin e rrugës për avancimin e standardeve për Gjykim të Drejtë në sistemin gjyqësor të Kosovës. Ai vazhdoi duke thënë se në qoftë se Kosova do të ishte anëtare e Këshillit të Europës problemet aktuale me zbatimin e standardeve për Gjykim të Drejtë do të shkaktonin dëme edhe për buxhetin e Kosovës, meqenëse atëherë Kosova do të mund të bëhej subjekt i ankesave në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Më pas fjalën e mori Shqipe Ibraj-Mala- zëvendëse e avokatit të popullit e cila tha se, raporte të tilla ndihmojnë në avancimin e stadandardeve të të drejtave të njeriut në vendin tonë. Edhe ajo potencoi problemet institucioneve të drejtësisë me mungesën e kapaciteteve njerëzore dhe teknike.
Emin Beqiri- nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës tha se, institucioni që ai drejton vazhdimisht po punon në avancimin profesional në procesimin e lëndëve. Mirëpo për të arritur avancim në këtë drejtim duhet koordinim i mirëfilltë në mes të të gjitha institucioneve të drejtësisë.

Galeria e aktivitetit

foto (91)

20140305031110_1292

20140305031110_395

20140305031110_626

20140305031110_1343