Gjykata Themelore në Prishtinë e mbingarkuar me lëndë kundërkorrupsionit    

Prishtinë, 1 qershor 2017– Lëvizja FOL sot ka mbajtur tryezën e diskutimit për performancën e Gjyqësorit në Luftën Kundërkorrupsion. Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin akterët të ndryshëm të gjyqësorit në Kosovë si: Agim Maliqi nga KGJK, kryetar të Gjykatave Themelore të Kosovës, përfaqësues të EULEX-it, organizata të shoqërisë civile dhe mediat.
Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL, tha se matja e efikasitetit të gjyqësorit në fushën kundër korrupsion është bërë duke u mbështetur kryesisht në metodologjinë e përdorur nga  Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë, por edhe në metoda tjera.

Sipas tij, të gjeturat tregojnë se Gjyqësori ka treguar një performancë të mirë në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi. “Në vitin 2016 gjyqësori ka pasur në punë 639 lëndë kundër korrupsion. Nga këto lëndë, 407 lëndë janë bartur nga viti 2015, 232 lëndë kanë hyrë gjatë vitit 2016. Gjykata ka dhënë drejtësi për 284 lëndë. Me këtë performancë, gjyqësori ka zgjidhur më shumë lëndë se sa ka pranuar në vitin 2016”, tha Zulfaj.

Megjithatë, për shkak të numrit të madh të lëndëve të bartura në disa gjykata, siç është rasti me Gjykatën Themelore në Prishtinë, sipas Zulfajt, trendi i nivelizimit të lëndëve do të marrë një kohë të gjatë. “Bazuar në performancën e gjyqësorit për vitin 2016, Gjykatat do të arrijnë të nivelizojnë lëndët e bartura në vitin 2029”, tha ai.

Ndërkaq z. Agim Maliqi nga KGJK-ja tha se raporti i publikuar nga FOL është mjaftë i detajuar dhe këto të gjetura duhet te analizohen ne detaje nga ana e KGJK-së  ne mënyrë që të përmirësojmë performancën. “Tek ne prioritet është rritja e besimit të qytetarëve në gjyqësor. Sipas të dhënave Prishtina është me keq ndërsa Gjakova e Ferizaj janë kampion në zgjidhjen e lëndëve sepse ju kanë dhënë prioritet. Ndërkaq Mitrovica duhet vlerësuar edhe në çfarë kushtesh punon”, tha Maliqi.

Beqir Kalludra nga Gjykata themelore në Prishtinë tha se kjo gjykatë ka problem me numrin e madh të lëndëve të trashëguara.  “Përveç lëndëve të trashëguara kemi problem edhe me sigurimin e palëve në procedurë. Kemi lëndë të EULEX-it, të prokurorisë speciale në lëndë specifike. Ndodh që një lëndë ka 94 folldera. Prokuroria ka ecë përpara sepse i ka profilizuar prokurorët. Ne këtë e kemi shumë problem”, tha Kalludra, i cili propozoj se lëndët mbi 10 vite të gjykohen nga departamenti i krimeve të rënda nga një gjyqtarë.

Ali Kutllovci nga Gjykata Themelore ne Mitrovicë tha se ka sukses në këtë gjykatë mirëpo duhet parë edhe kushtet e punës. “Përveç kushteve të rënda të punës kemi problem edhe me ikjen e gjyqtarëve ku 12 gjyqtarë kanë lënë punën në Gjykatë”, tha Kutllovci.

Jennifer Seel nga EULEX-i tha se ky raport është një përmbledhje e mire dhe numrave dhe shpresoj se do të jetë çdo vit duke e pasuruar edhe me formula tjera ku do te pasurohej me shumë.

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Kosovar Civil Society Foundation – KCSF