Funksionimi i Gjyqësorit në Republikën e Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës
Kryetari, z. Jakup Krasniqi

I nderuari z. Krasniqi,

Ju lutem, pranoni konsideratën dhe respektin tim të lartë për punën që bëni dhe institucionin që drejtoni.

Po ju shkruaj për të shprehur shqetësimin e Lëvizjes FOL, me deklarimet e Juaja të fundit për gjendjen në gjyqësorin e Kosovës. Përderisa pajtohem se gjendja në gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës është e mjerueshme konsideroj se deklarimet e Juaja të fundit janë të dëmshme dhe mund të lexohen edhe si kërcënim për punën e gjyqësorit pikërisht tani kur Prokuroria Speciale ka filluar seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përderisa e kuptojmë pozitën Juaj si Sekretar i PDK-së, ju bëjmë apel që të mos ngatërroni angazhimet e Juaja në kapacitetin e Sekretarit të PDK-së me atë të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ashtu siç edhe Kushtetuta e Republikës e cakton, Gjyqësori është një pushtet i ndarë dhe deklarimet e Juaja të fundit për punën në gjyqësor si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës i shohim si ndërhyrje në punët e gjyqësorit.

Prandaj, ne ju bëjmë thirrje që të largoheni nga retorika politike nënçmuese ndaj gjyqësorit dhe të fokusoheni në përmbushjen e obligimeve kushtetuese që keni në drejtimin e Kuvendit të Republikës.

Në këtë kontekst nëse dëshironi të ndihmoni Gjyqësorin të pavarësohet edhe më tej dhe të fuqizohet, ju mund të përshpejtoni nxjerrjen e ligjit për Gjykata dhe atë për Prokurorinë si dhe një ligj tjetër të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit, Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë. Gjithashtu, ju mund të kontribuoni në rritjen e buxhetit për Gjyqësorin e Kosovës, i cili funksionon në kushte jo të mira. Shpresoj se do të konsideroni vërejtjet tona,

Me nderime,

Ramadan Ilazi
Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes FOL