“Forumi për Qasje në Drejtësi” ofron qytetarin me institucionet e drejtësisë
Gjakovë, 04 tetor 2013– Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Afrimi i qytetarëve me institucionet e drejtësisë”, i cili financohet nga populli amerikan përmes USAID/ATRC, ka mbajtur sot takimin e dytë të “Forumit për Qasjen në Drejtësi” në Komunën e Gjakovës. Në këtë forum të ftuar ishin përfaqësues të Gjykatës, Prokurorisë, Policisë, përfaqësues nga Avokati i Popullit, nga Qendra për Ndihmë Juridike, përfaqësues të Odës së Avokatëve, OJQ-ve, mediave dhe qytetarët e interesuar në Komunën e Gjakovës. Në këtë takim prezent ishte edhe përfaqësuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Aishe Qorraj-Berisha.
Fillimisht Kenan Tora nga Lëvizja FOL ju uroj mirëseardhje të pranishmëve dhe bëri një prezantim të shkurtë të takimit të parë të forumit dhe të aktiviteteve të tjera me qëllim të përmirësimit të komunikimit mes institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve. Ai deklaroi vështirësitë që po hasen gjatë tentimeve për të monitoruar seanca gjyqësore, dhe se deri më tani në Gjykatën Themelore në Gjakovë ende nuk është mbajt asnjë seancë për rastet e keqpërdorimit të parasë publike ose korrupsionit. Ai nënvizoi nevojën për rritjen e nivelit dhe cilësisë së komunikimit në mes të institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve.
Aishe Qorraj-Berisha përfaqësuese e KGJK-së përgëzoi Lëvizjen FOL për idenë dhe angazhimin e tyre në këtë fushë. Ajo prezantoi në përgjithësi punën e KGJK-ë dhe gjithashtu potencoi dhe pranoi problemet dhe sfidat e gjyqësorit të cilat fillojnë nga buxheti i ulët e deri tek mungesa e gjykatësve apo numri i madh i lëndëve. Më tej ajo potencoi se në Gjakovë ende nuk ka një zyrtar për marrëdhënie me publikun i cili do ta lehtësonte punën e komunikimit të qytetarëve edhe pse secila gjykatë e ka monitorin ku paraqiten të dhëna për mbajtjen e seancave.
Më pas Lulzim Paqarizi nga Gjykata Themelore në Gjakovë tha se gjykatat ndodhen në fazën e tranzicionit. Ne kemi raste shumë por nuk kemi gjykatës të mjaftueshëm, nuk kemi kapacitete njerëzore të cilat do t’i përfundonin të gjitha rastet e paraqitura në Gjykata. Ai më tej shtoi se Gjykata Themelore në Gjakovë ka 14 gjyqtarë, Gjykata në Rahovec ka 6 gjyqtarë dhe Gjykata në Malishevë ka 5 gjyqtarë. Ai po ashtu potencoi që Gjakova nuk ka Qendër të Paraburgimit. Në Gjykatën Themelore në Gjakovë janë 7 lëndë për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare por të cilave ende nuk iu janë caktuar datat për gjykim.
Nora Dobruna nga Këshilli për Ndihmë Juridike Falas, tha se komunikimi në mes të gjykatave dhe gjyqtarëve me qytetarët, secilën ditë e më tepër po përmirësohet. Qytetarët kryesisht shprehin pakënaqësi rreth zvarritjes së lëndëve.
Në diskutim e sipër Ali Juniku qytetar nga Gjakova shprehu pakënaqësinë rreth zvarritjes së rastit të tij në gjykatë dhe u referua në arsyen që gjykatat janë të korruptuara dhe se korrupsioni nuk po i lë të ecin dhe të punojnë drejt.
Vjollca Kuqi nga Rrjeti i Grave “Qeliza” duke nënvizuar se komunikimi i gjykatave me qytetarët është i dobët shtoi se këtë komunikim e vështirëson shumë byrokracia e tepërt.
Halil Kaja nga Qendra për Zhvillimin e Biznesit dhe Komunitetit shprehi shqetësimin e tij për dukurinë e reketit në Gjakovë, gjë e cila sipas tij secilën ditë e më tepër po e dëmton biznesin dhe ndërmarrësin.
Në fund Linda Sada nga Forumi i Shoqërisë Civile kërkoi Forumi për Qasje në Drejtësi të mbahet në intervale të rregullta kohore, pasi që është e dukshme nevoja për përmirësimin e nivelit të komunikim në mes të institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve.