Forumi diskuton për vërejtjet dhe rekomandimet e komunave mbi Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve
Prishtinë, 02 Tetor 2013 – Lëvizja FOL në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë, ka mbajtur Forum-Diskutimin e II-të në lidhje me “Pakon Ligjore Anti-Korrupsion – Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve”, respektivisht mbi vërejtjet dhe rekomandimet e dala nga tryezat e organizuara nga kjo FOL në disa Komuna të Kosovës ku është diskutuar mbi ligjin në fjalë.
Në tryezat e organizuara në Komunën e Ferizajt, Gjakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit dhe Pejës janë shfaqur shqetësime në lidhje me zbrazëtirat ligjore dhe nivelin e ulët të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve. Vërejtjet dhe rekomandimet e dala nga këto tryeza ku pjesëmarrës kanë qenë zyrtarë publik në nivelin lokal, përfaqësues kompanish të ndryshme publike dhe private, shoqëria civile si dhe qytetarë të Republikës së Kosovës, i kanë dhënë shtytje organizimit të Forum-Diskutimit të II-të, ku pjesëmarrës kanë qenë përfaqësues nga Ministrisë së Drejtësisë, nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, Komuna të Kosovës si dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.
Bajram Ajeti, Kryetar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, tha se “ligji për Mbrojtjen e Informatorëve nuk kufizohet vetëm në fushën anti-korrupsion por ngërthen të gjitha fushat të cilat janë te mbrojtura nga ligjet dhe kushtetuta e Republikës së Kosovës për të mirën publike”. Ai shtoi tutje se “nuk është detyrë vetëm e institucioneve publike promovimi i ligjeve, por kjo detyrë u takon edhe organizatave jo-qeveritare”. Duke iu referuar problematikave të zbatimit të ligjeve e vecanërishtë Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, ai theksoi se “mungon komunikimi i mirëfilltë në mes të mbikëqyrësve dhe nëpunëseve te tyre mbi informimin e ekzistimit të ligjeve në përgjithësi”, duke shtuar se “çdo institucion është i thirrur për të zbatuar ligjin, edhe pse shpesh mungon vullneti politik për zbatimin e këtyre ligjeve”.
Ndërkaq, Baki Gimolli nga Departamenti për Çështje Ligjore – Ministria e Drejtësisë, tha se “ligji për Mbrojtjen e Informatorëve ka dalë si një kërkesë e Raport-Progresit të Bashkimit Evropian”, duke theksuar se “ligji është specifik dhe se askush në rajon ende nuk e ka miratuar një ligj të tillë”. Tutje ai shtoi se “megjithatë, Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve është mirë i strukturuar i cili qartëson instancat për pranimin e informatave në raste të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”. Në qartësimin e mëtutjeshëm te normave të Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve, ai pohoi se “edhe pse ligji në përgjithësi përmban norma te zbatueshme, megjithatë, disa nga normat e këtij ligji ende mbesin të pazbatuara si pasojë e mos planifikimit të mirëfilltë buxhetor me rastin e miratimit të këtij ligji”.
Hevzi Matoshi përfaqësues nga Komuna e Gjilanit, deklaroi se “problemi kryesor qëndron në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, ku zyrtarët hezitojnë të paraqesin informata mbi keqpërdorimet të cilat ndodhin pranë institucioneve ku ata janë të punësuar”. Tutje ai shtoi se “megjithatë, duke vlerësuar situatën mund të theksojmë se, ekziston vullneti politik në zbatimin e ligjit”.
Kurse, Shemsi Igrishta nga Policia e Kosovës tha se “Policia e Kosovës është një institucion i respektuar nga ana e qytetarëve të Kosovës, dhe se e njëjta është duke punuar në rritjen e mirëbesimit tek të njëjtit qytetar për t’i cytur ata që të raportojnë shkeljet ligjore dhe parregullsitë të cilat vihen re”.
Në këtë Forum-Diskutim janë dhënë edhe disa rekomandime, ku ndër më të rëndësishmet janë si në vijim:
– Themelimi i Gjykatave Administrative;
– Promovimi i mëtutjeshëm i Kutive të Ankesave në institucione publike, krahas përcaktimi të instancave për pranimin e informacioneve mbi parregullsitë dhe keqpërdorimet; si dhe
– Parashikimi i mjeteve financiare në përputhshmëri me miratimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre në praktikë.