Forum Diskutimi për Ligjin mbi Mbrojtjen e Informatorëve
Prishtinë, 21 Qershor – Lëvizja FOL, në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ka mbajtur një Forum-Diskutim në lidhje me nivelin e zbatimit të Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve nga ana e zyrtarëve publikë.
Në këtë Forum të pranishëm ishin përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, nga Këshilli I Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë, anëtarë nga Komisioni për Legjislacion, nga Instituti Kosovar i Administratës Publike, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit, Agjencia Kundër Korrupsion, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme jo-qeveritare.
Në këtë Forum, përveç që është bërë prezantim i të gjeturave të hulumtimit “Zyrtarët s’e fishkëllejnë korrupsionit: Niveli i njohurive dhe përvojës së zyrtarëve publikë rreth Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve”, është diskutuar gjithashtu edhe për dobësitë e Ligjit, zbatimi i tij nga ana e zyrtarëve në praktikë, si dhe për promovimin e tij tek zyrtarë të ndryshëm publikë.
Basri Gimolli, nga Divizioni për Politika dhe Legjislacion, deklaroi se “Ministria e Drejtësisë, si sponzorizuese e këtij Ligji e ka pasur për detyrë vetëm draftimin e ligjit, por jo edhe monitorimin e zbatimit të tij nga ana e zyrtarëve”.
Më tutje, ai ka shtuar se “Qëllimi i këtij Ligji është nxitja e zyrtarëve për të raportuar veprimet e kundërligjshme, por Ligji bazohet më shumë në vullnetin e mirë të zyrtarëve sesa në shtrëngimin e tyre juridik për ta denoncuar një vepër të caktuar kundërligjore.”
Më kritike është treguar anëtarja e Komisionit për Legjislacion nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se “Ky ligj ka nevojë të ridraftohet dhe të amendamentohet për shkak të shumë dobësive që përmban”. Ajo më tej ka shtuar se “ekziston frika e madhe e zyrtarëve publikë për t’i denoncuar rastet e korrupsionit përbrenda institucioneve të tyre përkatëse”.
Ndërkaq, Bajram Ajeti, Drejtor i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë, tha se “një numër i madh i zyrtarëve publikë s’janë të informuar fare për ekzistimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, së këndejmi duhet shikuar mundësitë sesi të promovohet Ligji në institucionet qendrore, lokale, si dhe në sektorin privat”.
Për më tepër, ai ka pohuar se “zyrtarët largohen në mënyrë arbitrare nga puna e tyre për shkak të frymës apo mentalitetit autoritar që ekziston në institucionet tona”.
Shemsi Igrishta, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit, në mes tjerash ka prezantuar edhe shifrat e raportimeve të përgjithshme për vitin 2012, ku përfshihen edhe denoncimet e zyrtarëve publikë. Ai ka shtuar se “nga 297 shkresa sa janë pranuar gjithsej, 154 janë marrë parasysh si të bazuara dhe janë cilësuar si raste, si dhe 143 raste të tjera janë dërguar me raport të veçantë të prokurorit”.
Ndërkaq, Arton Demhasaj, përfaqësues nga organizata COHU! Ka shprehur kritikat e tij sa i përket nivelit të zbatimit të këtij ligji, si dhe për mënyrën e emërtimit dhe fushëveprimit të ligjit.
Samir Reka, Drejtor Ekzekutiv i INPO, tha se “Në nivelin lokal jo vetëm që s’zbatohet Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve, por as që dihet për ekzistimin e aq më pak për përmbajtjen e tij”.
Në fund të Forumit, janë dhënë edhe një sërë rekomandimesh. Ndër më të rëndësishmet që janë propozuar janë si në vijim:
– Ligji të jetë më specifik sa i përket luftimit dhe parandalimit të korrupsionit;
– Të ndryshohet emërtimi i Ligjit;
– Të organizohen fushata promovuese se çka përmban Ligji;
– Komisioni për Legjislacion të organizojë diskutime publike në lidhje me zbatimin e Ligjit;
– Të caktohen zyrtarët përgjegjës për mbikëqyrje të parregullsive;
– Të gjenden mënyra sesi zyrtarët publikë të inkurajohen për të raportuar rastet e korrupsionit;
Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.