FOL u vesh Thaçit, Jacobsit dhe Gashit cilësorin gënjeshtarë

Prishtinë, 13 shkurt –  ” Hashim Thaçit, Theo Jacobsit dhe Alush Gashit u ka veshur cilësorin gënjeshtar këtë javë lëvizja FOL. Të shtunën, FOL e ka bërë prezantimin e raportit të katërt të shqyrtimit të vërtetësisë së deklaratave të shtetarëve të Kosovës, përmjet “Matësit të së vërtetës”.

Menaxheri i programeve të lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, provën e parë të vërtetësisë, ia ka qitur një deklarate të kryeministrit të Kosovës, njëherazi kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me rastin “Bllaca”, të plasuar në kuadër të një interviste të botuar te gazeta austriake “Die Presse” e të huajtur në shtypin kosovar më 12 të këtij muaji. “Kjo ishte një dramë e pavlerë e fushatës zgjedhore. Ishte pjesë e një fushate negative kundër partisë sime para zgjedhjeve lokale. Por, jam krenar, sepse përkundër kësaj, qytetarët masivisht votuan për mua. Askush nuk u besoi gënjeshtrave që i përhapën kundërshtarët tanë politikë”, ka cituar Zogaj, shefin e ekzekutivit.

Ai e ka kategorizuar një deklarim të Thaçit si të pavërtetë, duke u shprehur se EULEX-i e ka marrë seriozisht rastin e Nazim Bllacës. “Një person i dytë është arrestuar pas Nazim Bllacës, si i dyshuar për përfshirje në rastet e vrasjeve, plagosjeve e rrahjeve të pasluftës. Të tjera arrestime për këtë rast ka gjasa të ndodhin shumë shpejt. DVD-ja e Nazim Bllacës vërtet u shpërnda nga deputetë të një partie rivale të Thaçit, por në të u fol për shumë vrasje e sulme enigmatike të pasluftës”, ka thënë menaxheri i lëvizjes FOL.

Provën e dytë të vërtetësisë, FOL e ka rezervuar për deklarimin e prokurorit të Misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, Theo Jacobsit, në një tryezë të rrumbullakët më 3 nëntor të vitit të kaluar në Prishtinë. “Shumë shpejt, pritet të bëhen arrestimet e para për korrupsion të figurave të larta publike, të përfshira në afera joligjore. EULEX-i nuk është duke u marrë vetëm me gjykimin e ish-ushtarëve të UÇK-së, por brenda pak muajve do të shihni rezultate për korrupsion”, ka cituar Zogaj prokurorin e EULEX-it, për ta shpallur më pas një deklarim të tillë të pavërtetë.

Ai ka thënë se më shumë se tre muaj nga kjo deklarata e Jacobsit, të mos ketë asnjë shenjë të angazhimit të EULEX-it, për të arrestuar të përfshirët në afera korruptuese.

“Jacobs i ishte referuar edhe arrestimit të figurave të larta politike, që dyshohen për korrupsion”, ka thënë menaxheri i lëvizjes FOL. Zogaj ka theksuar që EULEX-i ende të jetë larg përmbushjes së misionit të vet kryesor, që duhet të jetë ofrimi i ndihmës për sundimin e rendit dhe ligjit.

Cilësimin e pavërtetë FOL ia ka vënë edhe deklaratës së ministrit të Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Alush Gashi, të shprehur në kuadër të një interviste për një gazetë kosovare, më 5 gusht të vitit të kaluar.

“Për ata që përcjellin me vëmendje shëndetësinë kosovare dhe e dinë se çfarë ka ndodhur në këtë sistem para se ne të vijmë në këtë mandat dhe çfarë po ndodh tani, është më se e qartë që gjendja ka ndryshuar shumë në të mirë. Me fjalë të tjera, ato që ishin planifikuar në Kosovë të bëhen pas dy ose tre vjetësh, po bëhen tani nga Ministria e Shëndetësisë dhe kjo na bën të ndihemi të qetë dhe të vazhdojmë të japim edhe më shumë nga vetja”, ka cituar Zogaj ministrin Gashi. FOL e ka kualifikuar të pavërtetë një deklarim të tillë, duke arsyetuar se gjendja në shëndetësi nuk ka njohur ndonjë ndryshim të madh dhe vazhdon të mbetet e mjerueshme.