FOL shpall Qeverinë “Miss Korrupsioni”

Prishtinë, 19 korrik 2011 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot performancën, me anë të së cilës është paraqitur mungesa e seriozitetit të institucioneve në luftimin e korrupsionit.

Në një garë të fortë ndërmjet institucioneve të Kosovës, të cilat kanë konkurruar për ta fituar çmimin “Miss Korrupsioni”, juria vlerësuese, e përbërë prej Raporteve Ndërkombëtare dhe nga monitorimi i vazhdueshëm që FOL u ka bërë institucioneve publike të Kosovës, me vota unanime ka vendosur që çmimin “Miss Korrupsioni” t”ia ndajë qeverisë së Kosovës. Duke marrë parasysh nivelin e lartë të korrupsionit, i cili është shtrirë gjithandej dikastereve qeveritare, vendimi i tillë nuk ka qenë as i papritur dhe as i befasishëm për zyrtarët e lartë qeveritarë.

Pas ndarjes së çmimit të parë, juria ka vendosur që çmimin “përcjellësja e parë e Miss Korrupsionit” ta fitojnë “dy bukuroshet” tjera: PTK dhe KEK. Ky çmim ka qenë rezultat i parregullsive të shumta në fushën e prokurimit, pagesat e mëdha jashtë-kontrolli dhe lidhja e kontratave të dëmshme për qytetarët e vendit.

Përveç këtyre dy çmimeve, juria ka vendosur që “përcjellësja e dytë e Miss Korrupsionit” të jetë sistemi gjyqësor i Kosovës. Arsyetimet e jurisë kanë qenë mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve, parregullsitë e shumta që kanë shoqëruar (ri)zgjedhjen e tyre, si dhe mungesa e vullnetit për t”i zgjidhur lëndët korruptive.

Armend Mazreku analist i politikave në Lëvizjen FOL tha se përmes kësaj përformanse FOL shprehë pakënaqësinë e saj dhe të qytetarëve të Kosovës për nivelin e lartë të korrupsionit në institucionet e vendit. “Përveç kësaj, FOL i bën thirrje të gjitha institucioneve të vendit që ta marrin seriozisht luftimin e korrupsionit, të punojnë për hir të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe ta etablojnë përfundimisht shtetin e të drejtës”, tha Mazreku.