FOL Hapur për prokurimin në Ministrinë e Drejtësisë

Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin e radhës të forumit FOL Hapur, ku është diskutuar për prokurimin në Ministrinë e Drejtësisë, duke përfshirë Tenderin për furnizim me mish dhe prodhime nga mishi në këtë Ministri.

Panelistë në këtë debat ishin Këshilltarja e Ministrit të Drejtësisë znj. Laura Zherka, Burim Tahiri u.d së zyrës së prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë si dhe Admir Salihu nga Lëvizja FOL.

Laura Zherka, këshilltare e Ministrit tha “se Ministria e Drejtësisë ju ka bërë ftesë të gjitha partive politike, mediave dhe OJQ-ve që të marrin pjesë në monitorimin e procedurave të prokurimit në këtë ministri, po ashtu kjo ministri gjatë këtij mandati i ka bërë disa ndryshime sa i përket procedurave të prokurimit, duke filluar nga përzgjedhja e anëtarëve të komisioneve pranuese, të cilët zgjedhën 3 orë para se të hapen ofertat, gjë e cila nuk lë hapësirë për keqpërdorime, po ashtu ueb faqja e Ministrisë së Drejtësisë është i plotësuar me të gjitha detajet rreth tenderëve, shpenzimeve të kësaj Ministrie”, përfundoi ajo.

Burim Tahiri, po ashtu përsëriti që Ministria e Drejtësisë nga ky mandat është e hapur për të gjitha OJQ-të, dhe se gjitha shqetësimet e këtyre OJQ-ve merren parasysh nga kjo ministri. Sa i përket çështjes së tenderit për furnizim me produkte të mishit, ai tha se “procesi i prokurimit ka qenë i hapur”. “Pas përfundimit të procedurave të prokurimit ka qenë një ankesë e një operatori ekonomik, që ka bërë që OSHP-ja, të kthej në rivlerësim këtë tender”. Sipas tij, “vendimi i OSHP-së është respektuar, mirëpo është bërë kërkesë në KRPP për interpretim të ligjit, në bazë të së cilit është proceduar ky tender”. Pas takimit me KRPP-në, AKK-në të organizuar nga Ministri Hajredin Kuçi, është marrë vendim që ky tender të anulohet dhe të ri-tenderohet.

Admir Salihu, monitorues i Lëvizjes FOL tha “se monitorimi në Ministrinë e Drejtësisë është duke u bërë konformë memorandumit të mirëkuptimit me këtë ministri”. Sa i përket tenderit në fjalë “dyshimi jonë që nga fillimi kishte të bënte për ekzistimin e mundësisë së bashkëpunimit ndërmjet operatorëve ekonomik dhe njësisë kërkuese, si dhe mundësia që operatori ekonomik të ketë pasur njohuri rreth disponueshmërisë së mjeteve të ministrisë për këtë tender”. Lëvizja FOL në mënyrë aktive ka marrë pjesë në procedurat e hapjes së tenderëve dhe vlerësimit të tyre. Deri më sot Lëvizja FOL ka monitoruar 16 tender në këtë ministri, duke mos përfshirë ri-tenderimet. Sipas z. Salihu “gjatë kësaj periudhe janë hartuar 5 raporte, në të cilat ne i kemi trajtuar problemet e identifikuara gjatë procesit të tenderimit, ku rekomandimet nga këto raporte janë zbatuar nga kjo Ministri”.

Debati ka vazhduar me diskutim ndërmjet panelistëve dhe pjesëmarrësve të pranishëm në debat.