FOL Hapur me Prokurorinë në qytetin e Pejës dhe Gjakovës
Pejë-Gjakovë, 20 qershor 2011 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, kanë zhvilluar debatin në komunën e Pejës dhe atë të Gjakovës, në kuadër të fushatës “Prokuroritë më afër qytetarit”. Pjesëmarrës në këto debate kanë qenë përfaqësues të shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të këtyre komunave. Ndërsa në cilësinë e panelistëve të pranishëm kanë qenë Kryeprokurori i Prokurorisë së Kosovës, z. Ismet Kabashi, z. Agron Galani, Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Pejë, znj. Lirije Morina, Kryeprokurore e Prokurorisë Komunale në Pejë dhe znj. Shpresa Bakia, Kryeprokurore e Prokurorisë Komunale në Gjakovë.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, duke i falënderuar të pranishmit tha se “Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit kanë nisur fushatën “Prokuroritë më afër qytetarit”, përmes së cilës të dyja palët synojnë të rrisin informacionin për rolin dhe punën e prokurorive, të nxisin qytetarët të bashkëpunojnë me prokuroritë, si dhe të diskutojnë për punën e prokurorive nëpër regjione”.
Kryeprokurori i shtetit z. Kabashi tha se prokuroria është shumë e interesuar që të jetë një institucion plotësisht transparent karshi qytetarëve, shoqërisë civile dhe medieve dhe për këtë falënderojë Lëvizjen FOL për angazhimin e saj në realizimin e kësaj fushate. Sipas tij viti 2010 ka qenë një vit i suksesshëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë, ku “Kuvendi i Kosovës ka miratuar dy nga ligjet më bazike për mirë funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe ka përfunduar procesi i emërimit dhe ri-emërimit të gjykatësve dhe prokurorëve”. Ai shtoi se “prokuroria gjatë vitit 2010, ka arritur të procedojë 8.2% më shumë lëndë se sa në vitin paraprakë si dhe në këtë vit ka pasur shumë, më shumë raste të lajmërimit të vet qytetarëve në prokurori”. Prokuroria do ti kushtojë vëmendje të veçantë lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krim të organizuar, ku sipas kryeprokurorit Kabashi “në kuadër të Prokurorisë Speciale është krijuar task-forca për luftën anti-korrupsion dhe se e në të gjitha prokurorit e qarkut është caktuar nga një prokuror i cili merret me hetimin e këtyre rasteve”. Z. Kabashi në debatin e Gjakovës tha së më ligjin e aprovuar vjet mbi gjykatat, komuna e Gjakovës do të bëhet me Gjykatë Themelore.
Debati ka vazhduar me Kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Pejë, z. Agron Galani, i cili potencoi faktin se kjo prokurori ka mungesë të prokurorëve dhe se në korrik të këtij viti do të filloj me plotësimin e pozitave për prokurorë të rinj. Sipas tij “vetëm në vitin 2010, janë bërë 600 kallëzime penale, ku prej tyre janë ngritur 529 akuza, 10 akuza kanë të bëjnë me korrupsion dhe krime ekonomike dhe janë arrestuar zyrtarë komunal, të cilët më herët kanë qenë të “paprekshëm” nga drejtësia”. “Prokuroria e qarkut në Pejë është shumë transparente dhe bëri thirrje OJQ-ve, medieve dhe qytetarëve që të mos hezitojnë të kërkojnë të dhëna dhe dokumente në këtë prokurori”, përfundoi fjalimin e tij z. Galani.
Znj. Lirije Morina, kryeprokurore e Prokurorisë Komunale në Pejë tha se “gjatë vitit 2010 i kemi pasur rreth 1100 kallëzime penale për persona të mëdhenj dhe 60 për të mitur”. Prokuroria komunale është përballur me probleme dhe vështirësi të vazhdueshme, mirëpo sipas saj “është fakt pozitiv se vetëm nga viti i kaluar kjo prokurori ka filluar bashkëpunimin normal me prokurorinë e shtetit”. Sipas sa “natyra e lëndëve të proceduara nga kjo prokurori më së shumti kanë të bëjnë me vjedhjet e rënda, vjedhjet e pyllit, dëmtime, rrahjet, aksidentet e trafikut, marrja e ryshfetit etj.”.
Në debatin e zhvilluar në Gjakovë, kryeprokurorja e prokurorisë komunale në këtë komunë znj. Shpresa Bakia përshëndeti nismën e Lëvizjes FOL dhe prokurorisë që prokuroria të jetë sa më e hapur dhe sa më afër qytetarëve. Ajo tha se “prokuroria komunale e Gjakovës, përballet me një fenomen shumë të veçantë ku përqindja e rasteve më të mitur është më e lartë se sa në prokurorinë komunale të Pejës”.
Pas kësaj diskutimi u hap për pjesëmarrësit dhe kishte pyetje-përgjigje, në mes të pjesëmarrësve dhe panelisteve të ftuar në këtë debat.