FOL Hapur me Prokurorinë në qytetin e Mitrovicës
Mitrovicë, 27 qershor 2011 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, kanë zhvilluar debatin në komunën e Mitrovicës, në kuadër të fushatës “Prokuroritë më afër qytetarit”. Pjesëmarrës në këto debate kanë qenë përfaqësues të shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të këtyre komunave. Ndërsa në cilësinë e panelistëve të pranishëm kanë qenë Kryeprokurori i Prokurorisë së Kosovës, z. Ismet Kabashi, Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, z. Shyqyri Syla, Kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Mitrovicë, z. Faruk Korenica.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, duke i falënderuar të pranishmit tha se ” këto debate po zhvillohen me qëllim të sqarimit të punës së prokurorëve, e cila jo rrallë ngatërrohet me punën e gjyqësisë dhe për shumë lëndë të pa kryera fajësohet prokuroria”.
Kryeprokurori i shtetit z. Kabashi pasi ka folur për strukturën organizative dhe përgjegjësit e prokurorisë, tha se “aktualisht në Kosovë janë të angazhuar 78 prokurorë ndërsa që duhet të jenë 146 sish”. Mirëpo, sipas tij, për të gjitha vendet e lira është shpallur konkursi dhe besohet se deri nga fundi i muajit tetor apo në fillim të nëntorit ky proces i përzgjedhjes së prokurorëve do të përfundoj. Ai tha se “në bazë të ligjit të ri, përzgjedhja e prokurorëve do të bëhet nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe se besohet se më nuk do të mundet që ndokush të ndikoj në punën e tyre pasi që ata kanë kontratë të përjetshme të punës”. Sipas, Kabashit, në vitin 2010 prokuroria ka zgjedhur 71 % të lëndëve, ndërsa që 95 % të aktakuzave janë konfirmuar nga gjykatat. Sa i përket funksionimit të prokurorive në qarkun e Mitrovicës, Kabashi tha se jemi të njoftuar mbi gjendjen e vështirë për shkak të mos funksionimit të objektit në veri të Mitrovicës. Ai tha se nga e marta, do të fillon renovimi i objektit të prokurorisë në veri të Mitrovicës me këtë do të krijohen edhe lehtësira për punë e prokurorëve.
Ndërkaq, Shyqyri Syla, Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, tha se ka mungesë të prokurorëve e përveç kësaj në 20 metra katrorë punojnë 4 prokurorë. “Në mungesë të kushteve pasi që jemi duke vepruar në lokalet e gjykatës në Vushtrri ne jemi të detyruar që të funksionojmë vetëm me një prokuror kujdestar dhe punojmë vetëm lëndët emergjente”, tha Syla.
Kurse, Kryeprokurori Komunal i Mitrovicës, Faruk Korenica, gjendjen në këtë prokurori e vlerësoj alarmuese. “Kemi vetëm një prokuror dhe një zëvendës prokuror ndërsa që me ligj duhet të jenë 9 sish”. Sipas tij në këtë prokurori janë grumbulluar shumë lëndë dhe se një kohë është dashur të kërkohet nga stacionet e policisë që mos të dërgojnë më lëndë për arsye se nuk kanë as hapësirë ku me i lënë. “Punojmë në 15 m/katrorë dhe çka është më e keqja nuk kemi as një dhomë apo zyre ku do të bisedonim me dëshmitare” tha Korenica, duke shtuar se ka disa muaj që Kryeprokurori i Shtetit ka urdhëruar që të pranohet të gjitha lëndët dhe këtë jemi duke e bërë.
Pas kësaj diskutimi u hap për pjesëmarrësit dhe kishte pyetje-përgjigje, në mes të pjesëmarrësve dhe panelisteve të ftuar në këtë debat.