FOL Hapur me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi

Prishtinë, 22 prill, 2020 – Lëvizja FOL ka filluar sot me serinë e debateve në forumin FOL Hapur me ministra. I ftuari i parë në Forumin FOL Hapur, ishte z. Elbert Krasniqi, ministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Qëllimi i këtij diskutimi dhe diskutimeve tjera që do ti mbajmë me ministra në ditët në vijim do të jetë rreth prioriteteve në Programin Qeveritar, me fokus Plani vjetor i Punës së Qeverisë për vitin 2021.

Në fjalimin e z. Elbert Krasniqi, mund të shihni disa nga prioritetet e kësaj ministrie si dhe premtimet për 100 ditëshin e punës së tij.

Fjalimi për FOL Hapur

E nderura znj. Demolli – Nimani,

Të nderuar/a përfaqësues të mediave,

Të nderuar/a të pranishëm.

Më lejoni që fillimisht të ju falënderojë për ftesën, për mu dhe ministrinë që drejtojë është nder e vlerë e madhe prania ime sot në këtë format të diskutimit. Me lejoni të fillojë fjalinë time me zotimin dhe prioritetin e parë që MAPL nën udhëheqjen time e ka dhe do ta ketë e ai është bashkëpunimi me shoqërinë civile. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që përpos pasqyrës institucionale ta kemi edhe perspektiven kritike e analitike nga organizatat e shoqërisë civile për zhvillimin dhe avancimin e pushtetit lokal në Republikën e Kosovës.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – MAPL ka përgatitur draftin e planit qeveritar strategjik dhe operacional për vitet 2021-2025. Në këtë plan për këtë periudhë kohore parashihen të arrihen në mes tjerash katër qëllime strategjike për avancimin pushtetit lokal në Republikën e Kosovës. Ky plan është i bazuar në skanimin e gjendjes aktuale dhe si derivat i një procesi gjithëpërfshirës brenda ministrisë.

Prioritet kryesor i MAPL-së është mbështetja e komunave për menaxhimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19. Për këtë jemi në përfundim të procedurave së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë për ndarjen e një fondi emergjent sidomos për furnizmin e komunave me barna nga lista esenciale.

Ne kemi përgatitur dhe planifikuar qëllimet strategjike ku duhet intervenim i menjëhershëm dhe atë brenda 100 ditëshit të parë të kësaj qeverie. Ndërhyrja e parë duhet të bëhet në reformën e kornizës ligjore për pushtetin lokal dhe atë përmes plotësim ndryshimit dhe hartimit të kornizës së re ligjore që ndërlidhet me administrimin e pushtetit lokal. Gjatë këtij 100 ditëshi ne do të arrijmë që të plotësojmë ndryshojmë dy ligje bazike për pushtetin lokal atë të Vetëqeverisjes Lokale (LIGJI NR. 03/L-040) dhe ligjin mbi Financat e Pushtetit Lokal (LIGJI NR. 03/L-049). Ndërsa do të përfundojmë koncept dokumentet për dy ligjet e reja përkatësisht Ligjin për Grantin e katërt Qeveritar dhe Ligjin për Grantin e Përformancës së Komunave. I pari si derivat i premtimit tonë elektoral dhe i dyti si derivat i një procesi të gjatë ku MAPL së bashku me donatorë ndërkombëtarë kanë bërë vlerësimin dhe ofrimin e granteve për komuna në bazë të performancës së tyre vjetore.

Pandemia COVID 19 ka ndikuar edhe në rrafshin lokal, përkatësisht në dy nivele në atë publik dhe privat. Në sektorin publik, ndikimi ka qenë në kufizimin e mundësisë për investime publike, në ofrimin e kufizuar të shërbimeve publike dhe administrative, pamundësinë e komunave në ndërmarrjen e procedurave të prokurimit publik, anulimin e takimeve të organeve kolektive komunale, si dhe anulimin e konsultimeve publike. Ndërsa, në sektorin privat, më të prekur janë sektori i ndërtimtarisë, hotelerisë, gastronomisë, tekstilit si dhe pjesa më e madhe e shërbimeve. Për të pasur një pasqyrë të saktë të ndikimit të pandemisë COVID 19 në rrafshin lokal, MAPL ka planifikuar të realizojë një studim në secilën komunë përkatësisht në 38 komunat e Republikës së Kosovës për të identifikuar dhe adresuar secilin problem qe pandemia ka shkaktuar. Pra, ky do të jetë një dokument publik orientues për politikat publike në lidhje me ndikimin e pandemisë COVID 19 në nivelin lokal në Republikën e Kosovës. Problemet e identifikuara do të adresohen përmes zhvillimit dhe zbatimit ët Planeve Emergjente Komunale për Rimëkëmbje Ekonomike. Për këtë MAPL do të organizojë edhe Konferencën e Donatorëve dhe Investitorëve vendas dhe të huaj që të ju ndihmojnë komunave për zbatimin e atyre planeve. Metodologjia do të jetë ë bazuar në teknikat e RAR – Rapid Assessment and Response (vlerësim dhe reagim i shpejtë).

Qeverisja e hapur, efikase dhe llogaridhënëse do të jetë prioritet i 100 ditëshit të MAPL-së. Këtë ministria ka planifikuar të arrijë duke filluar procedurat e anëtarësimit në organizatën ndërkombëtare Partneriteti për Qeverisje të Hapur – PQH (Open Government Partnership – OGP). Anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtarë për qeverisje të hapur nuk është qellim në vete sepse qëllimi i vërtetë është hartimi dhe zbatimi i Planit Nacional për Qeverisje të Hapur 2022-2024. Deri tek ky qëllim bazuar në praktikat dhe procedurat e PQH-së, MAPL në koordinim të ngushtë më dikasteret tjerë të Qeverisë së Kosovës do të krijojë Komitetin Nacional për Anëtarësim i cili komitet do të udhëhiqet nga MAPL (përkatësisht Qeveria e Kosovës) dhe bashkë-udhëhiqet nga Organizatat e Shoqërisë Civile në Kosovë. Ky komitet do të përbehet nga institucione publike, organizata jo-qeveritare, përfaqësues të sektorit të biznesit dhe akterë tjerë relevant vendas dhe të huaj në Republikën e Kosovës. Pra, gjatë vitit 2021 do të bëhet vlerësimi i kritereve për anëtarësim në PQH, krijimi dhe funksionalizimi i Komitetit Nacional për Anëtarësim, hartimi i planit dhe vendimi qeveritar për zbatimin e tij.

Gjithashtu prioritet i 100 ditëshit të parë do të jetë fillimi i punimeve në zhvillimin e platformës nacionale për pushtetin lokal E-KOMUNAT. Me këtë platformë do të arrijë rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike komunale përmes digjitalizimit të shërbimeve dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së legjislativit dhe ekzekutivit të nivelit lokal.

Në kuadër të planit qeveritar strategjik dhe operacional për vitet 2021-2025, MAPL është fokusuar edhe në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë komunal. Këtë do të arrijmë përmes hartimit dhe zbatimit të Programit Nacional për Zhvillim Ekonomik Lokal 2022 – 2029. Një dokument i tillë do të ishte në përputhje me agjendën e integrimit evropian duke inkuadruar dhe adoptuar Strategjinë për Zhvillim Regjional të BE-së (EU Regional Development Strategy) ku një e treta e buxhetit total të BE shkon në investime për zbatimin e kësaj strategjie. Dhe në fund por jo për nga rëndësia ndihmon në harmonizimin e politikave zhvillimore nga niveli qendror tek niveli lokal përmes centralizimit të politikave përmes Grantit të IV-të Qeveritar. I tërë procesi 8 vjeçar duhet që të bëhet në koordinim të plotë në mes MAPL-së, Zyrës së Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit për Zhvillim dhe Integrime, ministrive të linjës, të gjitha komunave dhe institucioneve e organizatave vendore e ndërkombëtare.

Me plotësim ndryshimin e kornizës ligjore për pushtetin lokal vjen edhe ndryshimi strukturor i funksionimit të komunave. Në këtë ndryshim në do të përqendrohemi në krijimin dhe avancimin e mekanizmave për drejtat e njeriut dhe komunitetet në nivelin lokal. Për këtë me ligjin për Vetëqeverisje Lokale do të parashohim shkrirjen e shumë zyreve të ndërlidhura në Drejtorinë Komunale për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve. Me këtë përpos që do të funksionalizojmë këtë drejtori do të adresojmë edhe rekomandimet e vazhdueshme të BE-së për nivelin lokal në Raportet vjetore të progresit për Republikën e Kosovës.

Siç e përmenda në fillim ky plan është hartuar në bazë të një vlerësim paraprak të gjendjes aktuale. Nevojiten dy intervenime serioze për ngritjen e kapaciteteve humane për avancimin e pushtetit lokal. Njëri ndërlidhet me avancimin e procesit të integrimit evropian ku ne si MAPL nuk do lejojmë që niveli lokal të jetë pengesë në këtë proces. Për këtë dhe duke pasur parasysh nivelin aktual të kapaciteteve humane që merren me integrime në nivelin komunal ne kemi paraparë ofrimin e bursave në kuadër të skemës Young Cell Scheme për vitin 2022. Shkollimi dhe sistemimi në Zyret Komunale për Integrim i 38 zyrtarëve të shkolluar në kuadër të kësaj skeme për integrime evropiane. Ndërsa në kuadër të MAPL-së do të fuqizohet sektori për programim, monitorim, kontraktim dhe vlerësim te projekteve përmes krijimit të Departamentit për Programim, monitorim, kontraktim dhe vlerësim të projekteve në kuadër të MAPL-së.

MAPL do të vazhdojë ndarjen e graneteve për shërbimet socio-ekonomike dhe në bashkëpunim më donatorët e huaj ndarjen e graneteve të përformancës dhe granteve përmes programit të BE-së IPA për bashkëpunime ndërkufitare. Gjithashtu për sektorin privat në bashkëpunim me Banken Botërore do të vazhdojë fuqizimin e ndërmarrësve të rinj përmes ndarjes së granteve për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Përmes këtij programi parashihet të ndahen 4000 grante për periudhën kohore 2022-2025 dhe mbështetjen e 200 ndërmarrësve të rinj me mjete monetare duke realizuar kështu edhe premtimet tona elektorale.

Ju faleminderit dhe jam i hapur për çdo pyetje dhe tema tjera të diskutimit të interesit dhe fushës së qeverisjes lokale

 

*Këto diskutime realizohen me mbështetjen e programit MATRA të Ambasadës Holandeze në Kosovë dhe zbatohet në bashkëpunim me Institutin e Prishtinës për Studime Politike(PIPS).