“FOL Hapur” me Ambasadorin Britanik dhe Anëtarët e Shoqërisë Civile

Prishtinë, 10 qershor 2011- Lëvizja FOL, në kuadër të Forumit “FOL Hapur”, ka organizuar panel-diskutimin me Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ian Cliff, dhe anëtarët e shoqërisë civile. Diskutimi është fokusuar në zhvillimet aktuale në Kosovë, luftën anti-korrupsion, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe strategjinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur njohjen ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht të atyre shteteve brenda BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Në fjalimin e tij në këtë forum, Ambasadori Cliff potencoi:
“Lufta anti-korrupsion është njëra nga fushat me një rëndësi të veçantë për Ambasadën e Britanisë. Mbështetja dy projekte në kuadër të luftës anti-korrupsion, përfshirë edhe projektin e Lëvizjes FOL, dëshmon angazhimin tonë në trajtimin e problemit të korrupsionit në Kosovë. Kjo është një fushë ku liderët kosovarë duhet të përqendrohen në vazhdimësi për t”u siguruar se Kosova mund të ecë përpara në rrugën e integrimeve në BE”.
Ai shtoi se: “Lufta anti-korrupsion është pjesë e pandashme e programeve britanike dhe programet e tilla mbështesin institucionet e Kosovës në këtë luftë.
“Britania është duke ofruar mbështetje politike për një numër më të madh të njohjeve dhe të avancojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe regjionale”.

“Gjithashtu, Mbretëria e Bashkuar beson se progresi praktik në dialogun Prishtinë-Beograd është vendimtar për aspiratat e integrimit në BE – si për Kosovën ashtu edhe Serbinë”.

Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes FOL, Ramadan Ilazi, potencoi se: “Lëvizja FOL vlerëson lartë mbështetjen e Qeverisë Britanike për vendin tonë dhe shoqërinë civile në Kosovë. Lëvizja FOL beson se në mënyrë që të ngritët efektiviteti në luftën anti-korrupsion, institucionet publike duhet që të rrisin dhe fuqizojnë komunikimin dhe koordinimin në mes tyre”
Lëvizja FOL ka lansuar forumin “FOL Hapur” me qëllim që të ofrojë shoqërinë civile më pranë vendimmarrjes për proceset e rëndësishme në vend.