Eksperienca e sinjalizueses së keqpërdorimeve milionëshe në MMPHI, rrëfyer ekskluzivisht në tryezën e FOL

Prishtinë, 12/10/2024

Lëvizja FOL, në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, organizoi një tryezë të rëndësishme diskutimi me temën: “Sinjalizuesit nga Perspektiva Praktike”, ku u trajtuan sfidat dhe vështirësitë që hasin sinjalizuesit, si dhe roli i tyre thelbësor në luftën kundër korrupsionit.

Drejtorja e Lëvizjes FOL, Znj. Mexhide Demolli-Nimani, e cila moderoj diskutimin, tha se sinjalizimi si mekanizëm i fuqishëm për luftimin e korrupsionit si dhe për raportimin e akteve dhe veprimeve të tjera të paligjshme, është veçanërisht i rëndësishëm në një shoqëri ku besimi i qytetarëve në institucionet publike është i dobët dhe sfidohet vazhdimisht. Sipas saj, akti i sinjalizimit bëhet një veprim i guximshëm dhe një mjet për të sfiduar padrejtësitë, duke kontribuar në mbrojtjen e interesit publike dhe luftimin e keqpërdorimeve.

Sinjalizimi nuk përfaqëson vetëm një akt raportimi; ai është një zë i guximshëm për ndërtimin e një sistemi që respekton vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit. Sinjalizuesit, të cilët shpeshherë marrin përsipër rreziqe për të denoncuar abuzime dhe keqpërdorime, si dhe i bëjnë ballë presioneve të mëdha, janë ata individë që refuzojnë të mbesin të heshtur përballë keqpërdorimeve dhe veprojnë si gardianë të interesit publik”, tha znj. Demolli-Nimani.

Në këtë diskutim, znj. Makfirete Dibrani, Udhëheqëse e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL),  shpalosi për herë të parë rrëfimin e saj rreth sinjalizimit që bëri për keqpërdorimet milionëshe në këtë ministri, duke ndarë përvojën e saj në raportimin e keqpërdorimeve lidhur me faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Znj. Dibrani theksoi sfidat dhe vështirësitë me të cilat u përball gjatë procesit të sinjalizimit, si dhe pasojat e pësuara pas denoncimit të këtij rasti. Ajo ndau vlerësimin e rëndësisë së mbrojtjes ligjore për sinjalizuesit dhe nevojën për të siguruar mbështetje institucionale për ata që denoncojnë abuzimet dhe korrupsionin.

Duke folur për pasojat e raportimit të saj, ndër të tjera ajo tha “Nuk ishte rrugë aspak e lehtë, sepse guxova të denoncoj për keqpërdorimin e taksave të qytetarëve. Filloj një presion i jashtëzakonshëm për të ndërhyrë në procesin e vendimmarrjes. U përballa me komisione disiplinore, me vërejtje me shkrim nga personi që ndodhet në paraburgim për shkak të denoncimit tim. Këto përpjekje për të më larguar dhe diskredituar nuk përfundonin këtu. Ishte periudhë e mbushur me strese për të mbrojtur jo vetëm integritetin tim personal. Të gjitha këto i bëra ballë për te ndaluar keqpërdorimet publike”.

Znj. Dibrani foli edhe për kërcënimet dhe sabotimet që ajo kishte pësuar nga eprorët e saj, si rezultat i raportimit. “Një nga format më të dukshme të diskriminimit ishte përjashtimi im nga vizitat studimore brenda dhe jashtë vendit dhe çështjet të tjera për të sabotuar zhvillimin tim profesional. Udhëheqësi që abuzonte me taksat publike kishte obliguar kolegët e mijë që të më injoronin. Kjo ishte një mënyrë për të më larguar nga vendi i punës, por megjithatë unë mbeta e palëkundur”, tha ajo.

Ajo tha gjithashtu se është krenare që nuk është dorëzuar përballë vështirësive dhe presionit. Gjithashtu bëri thirrje për mbrojtjen e sinjalizuesve, të cilët nuk kërkojnë privilegje por vetëm mbrojtjen që e parasheh ligji.

Në fund, znj. Dibrani sinjalizoj publikisht edhe për një çështje tjetër brenda ministrisë. “Do të raportoj edhe në lidhje me pastrimin e shtretërve të ujërave dhe projekteve kapitale që janë dhënë kohët e fundit. Të dy projektet janë të ndara në 2 milion e 4 qind mijë euro, shumë mijë herë më shtrenjtë se Kroacia”. Sipas saj, ne guxojmë të bëjmë lëshime të tilla.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj, tha se kemi zyrtarë të institucioneve që janë përgjegjës në trajtimin e sinjalizimeve, e njëjtë edhe zyrtarë të agjencisë.

“Sinjalizimi konsiderohet një guxim individual, dhe për më tepër është një veprim që i shërben interesit kolektiv. Në këtë mënyrë ne i’u bëjmë thirrje të gjithëve të mos jenë vetëm dëgjues dhe diskutues, por të marrin pjesë në raportim. Besimi i qytetarëve në institucione nuk fitohet vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Zbatimi i legjislacionit pavarësisht se a është më i mirë në botë, duket që mungon përmbajtja e kontekstit të rrethanave të Kosovës. Ne kemi probleme praktike në zbatimin e tij”, tha Buleshkaj.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi tha se nëse një qeveri, një institucion apo ndërmarrje e ka me të vërtetë primare që ta luftojë korrupsionin, sinjalizuesit do t’i sheh si të dobishëm dhe jo si armiq të institucionit.

Nevoja e vullnetit politik për me i mbrojt sinjalizuesit. Niveli i vullnetit politik për me i mbrojt sinjalizuesit është ekuivalent me nivelin që ka një qeveri, një institucion i caktuar për me luftu korrupsionin. Nëse një qeveri, një institucion, ndërmarrje e ka me të vërtetë primare që ta luftojë korrupsionin, normalisht se do t’i sheh si të dobishëm dhe nuk do t’i sheh si armiq të institucionit sinjalizuesit”, tha Shala.

FOL në këtë tryezë publikoj edhe Broshurën “Pengesat në zbatimin efektiv të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve”, e cila përmban aktivitetet e FOL në avokimin e zbatimit të këtij ligji, si dhe sfidat dhe pengesat kryesore të zbatimit të këtij ligji, të hasura nga FOL gjatë këtij monitorimi.

Broshurën mund ta gjeni këtu

Pengesat kryesore në zbatimin efektiv të ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve Download