Dy huqjet e Agjencisë (Kundër) Korrupsionit
Prishtinë, 30 tetor 2011. Para dy dite, Lëvizja FOL ka publikuar raportin e saj krahasues mbi deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë për vitet 2010-2011. Mirëpo, pas publikimit të këtij raporti, Agjencia (Kundër) Korrupsion, përmes një komunikate të saj për media, ka reaguar për, siç thuhej, disa “gabime logjike dhe matematikore që ky raport përmban”.
Në këtë kuptim, Lëvizja FOL dëshiron të sqarojë opinionin publik se të dyja çështjet që kjo Agjenci i ka adresuar janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme:
1. Në lidhje më deklarimin e pasurisë së shefit të Agjencisë, z. Hasan Pretenit. Bazuar në ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik, gjegjësisht sipas nenit 3, pika 1.1.9, udhëheqësit e agjencive duhet të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë (Kundër) Korrupsionit. Pra, ky nen dhe kjo pikë përfshin edhe z. Preteni që të bëjë deklarimin e pasurisë së tij në këtë institucion. Në ndërkohë, reagimi i Agjencisë thotë se z. Preteni e ka bërë deklarimin e tij në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të këtij institucioni. Nëse do të ishte kështu, atëherë si ndodhi që z. Preteni deklarimin në 2011 të bëjë në bazë të këtij ligji që ka hyrë në fuqi në shkurt të 2010″ Andaj, kjo është anti-ligjore, sepse në momentin që ka hyrë në fuqi ky ligji për DKPZLP, e ka abroguar dispozitën ligjore të ligjit paraprak për çështjen e deklarimit të zyrtarëve të këtij institucioni. Me këtë rast, z. Preteni i ka shkelur dispozitat e këtij ligji, dhe për këtë do të duhej të jepte përgjegjësi publike.
2. Çështja e dytë që Agjencioni vë në dyshim raportin e Lëvizjes FOL është edhe deklarimi i pasurisë së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi. Sipas formularëve që Agjencia i ka publikuar në ueb-faqen zyrtare të saj, shihet qartazi që z. Krasniqi e ka publikuar të njëjtën pasuri, por me vlera të ndryshme për vitet 2010 dhe 2011. (shih të bashkangjitur formularët që janë nxjerrë nga ueb-faqja e saj). Prandaj, një reagim i tillë, jo vetëm që nuk është në funksion të këtij misioni, por, përkundrazi, i kontribuon edhe më shumë rritjes së korrupsionit dhe shtrirjes së gjerë të tij në institucionet publike.
Ne i bëjmë thirrje Agjencisë (Kundër) Korrupsion, që në vend se të merret me mbrojtjen e zyrtarëve të përfshirë në afera të ndryshme korruptive, të verifikojë prejardhjen e pasurisë së këtyre zyrtarëve, të cilët po e dëmtojnë interesin e përgjithshëm të qytetarëve të republikës tonë.
Ju lutem, gjeni të bashkangjitur ligjin: DKPZLP, si dhe formularët të deklarimit të pasurisë së z. Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës:
http://www.assembly-kosova.org/common/docs/ligjet/2010-151-alb.pdf
http://www.akkks.org/2010/Kuvendi_i_Republikes_se_%20Kosoves/Deputetet_e_Kuvendit/2010_Jakup%20Krasniqi%20-%20Kryetar%20i%20Kuvendit.pdf
http://www.akk-ks.org/2011/Kuvendi_i_Republikes_se_Kosoves/Jakup_Krasniqi.pdf