Drejtori i Programeve në Lëvizjen FOL bëhet anëtar i Komitetit Koordinues për Evropë në Koalicionin UNCAC
Prishtinë, 25 prill – Drejtori i Programeve në Lëvizjen FOL, Fidan Kalaja është zgjedhur në Komitetin Koordinues për Evropa në Konventën Anti-Korrupsion të Kombeve të Bashkuara, përkatësisht Koalicioni UNCAC. Përpos promovimit të parimeve dhe vlerave të koalicionit UNCAC në luftën anti-korrupsion, anëtarët e këtij komiteti kanë për detyrë që të konsolidojnë dhe fuqizojnë koalicionin dhe anëtarët e saj në luftën anti-korrupsion, mbështes punën dhe angazhimin e koalicionit në rrafshin nacional, regjional dhe ndërkombëtarë.
Lëvizja FOL, është bërë anëtare e Konventës Anti-Korrupsion e Kombeve të Bashkuara, përkatësisht Koalicioni UNCAC. Koalicioni UNCAC është rrjet global i më shumë se 350 organizatave të shoqërisë civile nga më shumë se 100 vende të botës. Ky rrjet i organizatave angazhohet dhe promovon luftën anti-korrupsion përmes avokimit për ratifikimin, zbatimin dhe monitorimin e Konventës Anti-Korrupsion të Kombeve të Bashkuara – UNCAC. Ky koalicion është themeluar në vitin 2006, përmes mobilizimit të organizatave të shoqërisë civile të UNCAC në nivelin ndërkombëtarë, regjional dhe kombëtarë.
Lëvizja FOL falënderon mediat, organizatat dhe partnerët e saj, të cilët mbështetën dhe kontribuan drejtpërdrejt në përzgjedhjen e z.Kalaja në Komitetin Koordinues për Evropë të Koalicionit UNCAC. Duke qenë pjesë e UNCAC dhe Komitetit Koordinues të saj, FOL do të angazhohet me tepër në promovimin e luftës anti-korrupsion në Kosovë duke shkëmbyer përvojat dhe zbatuar praktikat efikase në luftën anti-korrupsion të anëtarëve të Koalicionit UNCAC.