Diskutimi i hapur për politikat e punësimit për të rinjtë

Prishtinë, 7 qershor 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin e hapur me temën “Qeverisja e mirë: Politikat e punësimit për të rinjtë”. Panelist në këtë diskutim ishin përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL tha se qëllimi i këtij diskutimi është që të kemi një pasqyrë të qartë rreth politikave të punësimit, ku qëndrojmë me përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, dhe a është politikë e mirë eksporti i resurseve njerëzore për tregun e jashtëm në kontekstin e Kosovës.

Ndërkaq, Gersi Gashi nga FOL, paraqiti të dhëna rreth fuqisë punëtore dhe punësimit me fokus në rini duke vënë në theks që gjendjen faktike të numrit të madh të të rinjve të papunë e gjithashtu edhe numrin e madh të të rinjve që nuk ndjekin as trajnim as shkollim dhe nuk janë në punë.

Ndërkaq Dëfrim Rifaj, drejtor i departamentit për punë dhe punësim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se kjo ministri është duke bërë rishikim e strategjisë për punësimin e të rinjve.  “Gjërat e mira që janë bërë në këtë drejtim duhet të vazhdohen pavarësisht ndërrimit të ministrave”, tha Rifaj.

Ndërkaq Fatmir Haxholli, këshilltar i Ministrit në largim të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, theksoi se numri i të rinjve të papunë është i lartë dhe fatkeqësisht edhe pse ka qenë prioritet e partive në koalicion, buxheti për këtë ministri nuk është rrit.

“Theksi duhet vënë tek gjërat e rëndësishme. Buxheti nuk është rrit, dihet sa mjetet kanë shku për veteran, mandej niveli i dobtë i koordinimit me donator në nivel të krejt institucioneve. Strategjia e kaluar asnjëherë nuk është miratu në qeveri, andaj ne kemi fillu me rifresku dhe kem mëndu me dërgu për miratim, mirëpo gjërat kanë ndryshu me rënien e qeverisë”, tha Haxholli, duke shtuar se edhe Komisioni Evropian ka dhënë rekomandim për rritje të numrit të të punësuarve tek të rinjtë dhe gratë.

Përfaqësuesja e MInistrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Ryva Prokorogja, tha se MASHT e ka prioritet punësimin e të rinjve. “MASHT ka pas plan strategjik rreth kësaj çështje dhe donatorët janë detyru me i zbatu ato politika. Arsimi profesional ka qenë prioritet i dy ministrive MASHT dhe MPMS dhe prandaj disa gjëra edhe kanë shku mirë në këtë drejtim”, tha Prokorogja, duke shtuar se në Kosovë ka mbingarkesë sa i përket fushave të ekonomisë, shëndetësisë dhe juridikut ndërkaq mungojnë kuadro në lamin e përpunimin të drurit apo metalit.

Sipas saj kurrikula e re është e bazuar në 7 kompetenca, ku i është dhënë rëndësi e madhe shkathtësisë së ndërmarrësisë. “Duhet edhe si shoqëri të vetëdijesohemi më shumë, ngase shumë pak e konsiderojnë shkollën e bujqësisë dhe të gjithë vrapojnë pas gjimnazit, kjo gjë duhet të ndryshoj ngase duhet përshtat kërkesave të tregut”, tha ajo.

Dafina Mehaj nga BSPK, tha se fatkeqësisht BSPK nuk ka statistika sa është numri i të rinjve të papune, mirëpo ajo kërkoi që të bëhet më shumë për ata që janë të punësuar e sidomos në sektorin privat. “Shumë punëtorë në sektorin privat trajtohen si skllevër modern dhe inspektorati nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim”, tha Mehaj.

Pyetjet e studentëve kishin të bënin rreth punësimit pas përfundimit të studimeve, mungesa e praktikës së mirëfilltë, njohja e praktikës si stazh i punës, kriteret konkrete nëpër konkurse publike.

 

EYE Project is project of Swiss Cooperation Office and implemented by consortium of Helvetas Swiss Cooperation and MDA