Debati: Investimet Publike në Infrastrukturën Rrugore: Transparenca dhe Llogaridhënia

Suharekë, 11 mars 2011 – Lëvizja FOL, ka organizuar debatin e radhës me qytetarët e komunave: Suharekë, Rahovec dhe Malishevë, me temën “Investimet Publike në Infrastrukturën Rrugore: Transparenca dhe Llogaridhënia”. Në këtë debat janë trajtuar trendi i investimeve publike në infrastrukturën rrugore nga niveli qendror dhe lokal në këto tre komuna, gjendja aktuale, planet për të ardhmen si dhe niveli i transparencës dhe llogaridhënies së këtyre investimeve.

Pjesëmarrës në këtë debat kanë qenë Kryetari i Komunës së Suharekës, Kryetari i Komunës së Rahovecit, anëtarë të kuvendeve komunale (kryesuesit dhe anëtarët e Asambleve Komunale të këtyre dy komunave), shoqëria civile, media dhe qytetarë të këtyre komunave.

Fillimisht koordinatori i projektit z. Fidan Kalaja, shprehu keqardhjen për mos pjesëmarrjen në këtë debat të Kryetarit të Komunës së Malishevës z. Isni Kilaj, anëtarëve të Asamblesë Komunale të Malishevës, përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Ekonimisë dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës, duke e konsideruar këtë si mungesë të vullnetit dhe indikatorë të dëmshëm në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve karshi qytetarëve të Kosovës.

Në vazhdim ai prezantoj raportin “Transparenca e investimeve publike në infrastrukturën rrugore”. Sipas tij, duke u fokusuar kryesisht në projektin më të madh infrastrukturor pas lufte në Kosovë, Autostradën Morinë-Merdare, ky raport ka identifikuar disa nga mangësitë në rrafshin e respektimit të parimeve të transparencës siç janë mos informimi i publikut rreth planifikimit të këtij projekti e sidomos për koston e saktë financiare, mos dhënien e informacionit rreth burimeve të financimit të tij, refuzimi i qasjes në dokumentacionin e projektit pa ndonjë arsyetim të bazuar, si dhe krijimi i tendencës për anashkalimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit në këtë proces.

Debati ka vazhduar me Kryetarin e Komunës së Suharekës, z. Blerim Kuçi, i cili deklarojë se planifikimi dhe realizimi i projekteve kapitale në Komunën e Suharekës përshkohet me një nivel të kënaqshëm të transparencës. Sipas tij “janë realizuar 17 debate me qytetarë rreth hartimit të buxhetit komunal, investimeve kapitale si dhe projekteve tjera”. Gjatë prezantimit të investimeve komunale në infrastrukturën rrugore ai potencoj se “rreth 50% e buxhetit te komunës është i ndarë për investime kapitale, ndërsa mbi 50% e investimeve kapitale shkojnë në investime në infrastrukturën rrugore”. z. Kuçi tha se “problemet aktuale në realizimin investimeve publike janë pasojë e mungesës së një strategjie nacionale për zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe se këto investime ende bëhen ad hoc”. Respektimi nga ana e institucioneve të llogaridhënies publike dhe ligjore sipas tij “ende është i një niveli shumë të ultë, saqë mund të thuhet se ky parim nuk ekziston fare”.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi tha se “transparenca është motoja e komunës së Rahovecit, ndërsa llogaridhënia është bileta morale ndaj qytetarëve të kësaj komune”. Ai tha se pasi ka marrë detyrën e kryetarit të kësaj komune në janar të këtij viti, në këtë komunë ka gjetur mjaft kontrata të dyshimta dhe shumë projekte që janë të paraqitura vetëm në letër e asnjëherë nuk janë realizuar. Më tej ai shtoj se “sikur ka një “marrëveshje” ndërmjet institucioneve qeveritare që të mos ketë transparencë të investimeve publike, e këtë më se miri e dëshmon mungesa e raporteve që pasqyrojnë investimet publike të realizuara nga dhe në nivelin qendror dhe atë lokal”.

Ky aktivitet u mundësua me përkrahje të USAID përmes Programit për Fuqizimin e Shoqërisë Civile i implementuar nga ISC ” Instituti për Komunitete të Qëndrueshme.