Debat për Sundimin e Ligjit në Komunën e Gjakovës

Gjakovë, 10 maj 2016 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin e tretë në Gjakovë, në nivel të komunave në kuadër të projektit “Matja e Sundimit të Ligjit në Administratën Publike në Komunat e Kosovës”.
Në këtë debat janë prezentuar të dhënat e hulumtimeve të realizuara me zyrtarët komunal që merren me çështjen e banimit social/e njohin këtë fushë si dhe rezultatet e intervistave me përdoruesit, të cilët kanë komunikuar me komunën si institucion lokal.
Të pranishëm ishin zyrtarë dhe qytetarë  të kësaj komune, të cilët pas prezentimit të të dhënave nga Fitore Metbala, koordinatore e projekteve në Lëvizjen FOL, zhvilluan një debat mjaft të gjatë.

Ali Tafarshiku, këshilltar i kryetares së Komunës së Gjakovës, ka vlerësuar rezultatet e dala dhe ka shpjeguar për të pranishmit veprimet aktuale të komunës për zgjidhjen e problemit të banimit social në këtë komunë dhe numrin e madh të kërkesave që kanë.
Qytetarët në anën tjetër, kanë shprehu kërkesat e tyre individualisht për intervenim sa më urgjent të strukturave lokale në zgjidhjen e problemit të tyre meqenëse secili folës ka deklaruar se me të tilla pengesa po përballen me vite të tëra.
Në fund të debatit u evidentuan problemet më të mëdha, që rezulton të jenë: Mungesa e fondeve banesore, mungesa e fondeve financiare, mos-regjistrimi i pronave të komunës në emrin e komunës dhe keqpërdorimet që janë bërë nga përfituesit e banimit social ndër vite, me banesat në të cilat kanë jetuar.