“Çmimi për Gjykatën më Transparente për vitin 2023” i ndahet Gjykatës Komerciale

Prishtinë, 1 korrik 2024 – Lëvizja FOL me mbështetje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL), ka publikuar sot “Raportin mbi Monitorimin e Publikimit të Vendimeve Gjyqësore”, i cili përfshinë gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga Gjykatat e Kosovës për vitin 2023.

Mexhide Demolli – Nimani, Drejtoreshë Ekzekutive në Lëvizjen FOL, tha se publikimi i aktgjykimeve konsiderohet një prej segmenteve më të rëndësishme të sigurimit të transparencës në sistemin e drejtësisë. Pra nuk mund të flitet për transparencë dhe llogaridhënje në sistemin e drejtësisë, pa publikim të epilogjeve gjyqësore, tha ajo. Ajo theksoi se, edhe kësaj radhe, për të treguar një përqindje të saktë të shkallës së publikimit të aktgjykimeve nga Gjykatat e Kosovës, kemi ndërruar metodologjinë e vlerësimit. Pra kemi nxjerrur nga një përqindje të proporcionit ndërmjet lëndëve të zgjidhura në të gjitha gjykatat gjatë kësaj periudhe, dhe lëndëve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ndër të tjera, Nimani theksoj se, duke i marrë parasysh gjetjet e gjithë këtij monitorimi për këtë periudhë kohore, Lëvizja FOL edhe këtë herë do të ndajë “Çmimin për Gjykatën më Transparente” i cili do t’i ndahet gjykatës që ka arritur përqindjen më të lartë të publikimit të aktgjykimeve në ueb-faqen e KGjK – së në raport me lëndët e zgjidhura gjatë vitit 2023.

Ky çmim këtë vit do t`i ndahet Gjykatës Komerciale, si gjykata që ka publikuar më së shumti vendime gjyqësore në raport me lëndët e zgjidhura (Dhoma e Shkallës së Parë ka zgjidhur 4,017 lëndë, ndërsa ka publikuar 2,755 vendime (69 % të lëndëve); Dhoma e Shkallës së Dytë ka zgjidhur 2,222 lëndë, ndërsa ka publikuar 1,710 lëndë (77% të lëndëve).

Drejtoresha e INL në Kosovë, Tamra Greig, tha se ndjehet shumë e lumtur me këto të gjetura dhe progresin e bërë nga gjykatat e Kosovës, me ç’rast ka inkurajuar vazhdimin e publikimit të aktgjykimeve. Po ashtu, shprehi gatishmërinë për mbështetjes e INL ndaj sistemit gjyqësor dhe shoqërisë civile, me qëllim që të monitorohet dhe të komentohet performanca e gjyqësorit.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se publikimi i aktgjykimeve jo vetëm që rrit transparencën, por gjithashtu promovon llogaridhënien dhe besimin në sistemin gjyqësor. Duke falënderuar Lëvizjen FOL dhe INL në këtë drejtim, Kryesuesi Zogaj tha se fakti i publikimit të mijëra aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës është dëshmi e përkushtimit të gjyqësorit për të siguruar qasje të plotë për publikun.

Hulumtuesja e Lartë ne Lëvizjen FOL, Albana Hasani, tha se raporti përmban të dhënat nga monitorimi sistematik i publikimit të aktgjykimeve në ueb faqen zyrtare të KGJK-së, gjatë kësaj periudhe një vjeçare. Sipas Hasanit, gjatë vitit 2023, të gjitha gjykatat dhe degët e tyre kanë publikuar mbi 40,000 aktgjykime, një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2022, i cili progres është dëshmi e përkushtimit për transparencë dhe qasje publike. Gjithashtu, Hasani shpjegoj metodologjinë e vlerësimit të aktgjykimeve, ku tregoj se janë krahasuar numrin e lëndëve të zgjidhura dhe numrin e lëndëve të publikuara në secilën gjykatë gjatë vitit 2023.

Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, tha se ky çmim është vlerësim i përpjekjeve të stafit të kësaj gjykate, me qëllim të rritjes së transparencës dhe përmirësimit të qasjes në vendimet gjyqësore, përkundër vështirësive dhe sfidave si gjykatë e re.

Në fund të raportit, Lëvizja FOL ka dhënë edhe disa rekomandime me të cilat vlerëson se do të ngritej dinamika e publikimit të aktgjykimeve në periudhën kohore në vijim, disa prej të cilave janë: të ndryshohet Rregullorja e KGjK-së dhe të harmonizohet me Kodin e ri të Procedurës Penale, secila lëndë ta ketë numrin unik të lëndës; të gjitha aktgjykimet të publikohen në formatin PDF; si dhe të ndërmerren veprime sistematike për rritjen e numrit të vendimeve te publikuara, në mënyrë që të kemi një transparencë të qëndrueshme institucionale.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu

Raporti mbi monitorimin e publikimit të vendimeve gjyqësore Download